Lokale - eSIMy

Derbi i kësaj xhiroja mes Llapit dhe Prishtinës ka përfunduar me barazim 1-1, njofton Llapi.info.

Ahmed Januzi realizoi për mysafirët në pjesën e parë, ndërsa Mentor Zhdrella me një gol maestral nga gjuajtja e lirë barazoi gjithçka në “Zahir Pajaziti”.

Pas këtij barazimi, trajneri i ekipit nga Podujeva, Tahir Batatina ka thënë se Llapi ka shuar zërat të cilët kanë menduar që kryeqytetasit do të fitonin pa ndonjë problem në këtë ndeshje. Ai paralajmëroi edhe skuadrat tjera se Llapi nuk do të jetë i pazareve për pjesën e mbetur të kampionatit.

“Kemi qenë të vëmendshëm vazhdimisht sepse luajtëm ndaj skuadrës më të mirë në Kosovë dhe më cilësore, e kemi ditur se kanë sulmues të mirë dhe goli erdhi nga një pakujdesi. Kishim rastet tona edhe në pjesën e parë, në pjesën e dytë shënuam dhe tentuam ta kemi ndeshjen në kontroll. Llapi sot ka ndaluar shumë zëra të njerëzve që nuk ia donë të mirën Llapit, duke iu treguar se ne nuk bëjmë kalkulime pavarësisht pozitës në tabelë pasi është përfolur se Prishtina do vjen këtu dhe do na bëjë katër gola”, ka thënë Batatina për SSK.

Llapi tani numëron 38 pikë dhe renditet në pozitën e gjashtë. Në ndeshjen e radhës, Llapi luan në udhëtim ndaj Gjilanit./Llapi.info