Afrim Tovërlani mendon që titulli kampion do të diskutohet mes Feronikelit dhe Prishtinës në fund të edicionit.
Ish-trajneri i Prishtinës tha në “90 plus” se këto dy klube janë më të shtrenjtat.
Ai nuk e përmendi Llapin, që gjithsesi është afër me pikë.
“Prishtina dhe Feronikeli janë skuadrat kryesore për titullin këtë sezon. Por, këto skuadra duhet të arsyetohen pasi janë më të shtrenjtat”, deklaroi Tovërlani.
Nuk vonon përgjigjja e Tahir Batatinës, që thotë se në fund të edicionit do ta ftojë Tovërlanin në festën e titullit në Podujevë, duke theksuar që edhe ai është me prejardhje llapjane.
“Nuk dua ta komentoj shumë sepse secili ka mendimin e tij, por kësaj radhe ka gabuar sepse fusha do të dëshmojë se kush do të triumfojë”, deklaroi Batatina për Gazetën Olle.
“Në fund do ta ftojmë Afrimin në festë, sepse më duket që e ka prejardhjen nga Llapi”, shtoi ai.
Skuadra e Batatinës pas tri fitoreve radhazi nën drejtimin e tij, në fundjavë pret Gjilanin në shtëpi.
Ai e cilëson ndeshjen ndaj Gjilanit si të vështirë.
“Do të jetë një sfidë jo e lehtë, por nuk kemi opsion tjetër pos të japim maksimumin dhe të marrim tri pikë”, theksoi Batatina.
“Duam ta vazhdojmë serinë e mirë të rezultateve dhe shpresoj që do të ketë edhe spektakël nga Legjendat në tribuna”, përfundoi ai.