Edhe pse po qarkullojnë zërat se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është afër marrëveshjes me Roberto Morenon për postin e trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Tahir Batatina nuk po dorëzohet dhe shihet se e do stolin e “Dardanëve” me çdo kusht.

Përmes një postimi në “Facebook”, Batatina tha se qytetarët e Kosovës po e mbështesin atë, ndërsa tha se ëndrra e vetme e tij është kualifikimi i Kosovës në Evropian dhe Botëror.

“Forca, Kosova! Deri në frymën e fundit, do jem pranë teje. Vlerat më të mëdha në jetë për mua janë qytetarët e Kosovës dhe tifozeria Dardanët, që gjatë kësaj kohe më kanë mbështetur dhe po vazhdojnë të më mbështesin. Ata dua të më vlerësojnë, sepse një ditë së bashku me ta do të festojmë kualifikimin në botëror dhe Evropian”, shkroi Batatina.

“Çdo mision që kam filluar nga mosha e re e kam realizuar. Ëndrra e vetme që do ta realizoj nëse jam shëndosh dhe mirë në karrierën time është kualifikimi i Kosovës. Kjo mbështetje nga të gjitha mediat, portalet dhe komuniteti i futbollit më bëjnë mos të ndalem deri te objektivi im me qytetarët e Kosovës dhe popullin tim”, tha më tej Batatina.