Në fillim të prillit të vitit të ardhshëm, para dy dekadash një numër i madh i të rinjve shqiptaro-amerikanë, lanë gjithë çka kishin, duke filluar nga familja, shtëpitë dhe punën në SHBA, për t’iu bashkuar luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Ata në atë kohë kanë vepruar në kuadër të Batalionit “Atlantiku, që u bë pjesë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, ishte pikërisht hoteli “Royal Regency”, në Yonkers të New Yorkut, ku këta djem filluan rrugëtimin për lirinë e Kosovës, me uniformat e UÇK-së.
Këta të rinj, në kuadër të Batalionit “Atlantiku”, apo siç i kanë quajtur edhe shqiptaro-amerikanët e UÇK-së, mund të kishin jetuar fare mirë jetën me mundësitë e mëdha që u ofronte Amerika, por iu përgjigjën thirrjes së atdheut dhe u treguan të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka.
Përpos të rinjve që ju bashkuan luftës çlirimtare të Kosovës, ishte edhe femra e vetme në Batalionin “Atlantiku”, Linda Muriqi, e cila thotë se të pjesëmarrja në batalionin “Atlantiku”, gjithmonë do të jetë njëra ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur asaj në jetë.
Por, tre prej pjesëtarëve të “Atlantikut’, të tre nga një familje, pra vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi nuk u kthyen më kurrë. Këta dëshmorë të kombit janë heronj që nuk do të vdesin kurrë dhe që do të jetojnë përherë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kudo në botë.
Duke lënë gjithë çka kishin, këta të rinj që luftuan për lirinë e Kosovës, sot janë krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe e mbarë kombit shqiptar.
Në vitin 2000, është krijuar Shoqata “Atlantiku” si vazhdimësi e Batalionit “Atlantiku”, me të vetmin qëllim për të vazhduar kontributin në çështjen kombëtare. Por, tash e 5 vite Shoqata “Atlantiku” është pjesë e Bashkimit të Organizatave me në krye të Këshilltarit shqiptar të New Yorkut, Mark Gjonaj, i cili ka mobilizuar të gjitha forcat në një vizion për komunitetin shqiptarë.
Ndërkohë, që në prag të 20 vjetorit të formimit të Batalionit “Atlantiku’, protagonistët e këtij formacioni ushtarak, tregojnë të veçantën e ‘Atlantikut’, momentet e paharruara gjatë luftës, se sa janë të kënaqur me zhvillimet ne Kosovë, e deri të përgatitjet për shënimin e kësaj dite shumë të rëndësishme për ta.
Dy dekada të Batalionit “Atlantiku”
Për shënimin e kësaj dite, Gani Shehu, komandant i Batalionit “Atlantiku”, dhe tani kryetar i Shoqatës Atlantiku, deklaroi për Telegrafin, se ka disa muaj që janë duke punuar që 20 vjetori të kujtohet në mënyrë sa më të mirë, të dinjitetshme dhe të kujtojmë sakrificat e luftës për liri.
Rreth organizimit, ai theksoi se janë në koordinim edhe me institucionet e dy shteteve shqiptare, ku kanë pasur takime me presidentin shqiptar Ilir Meta, me kryeministrin Edi Rama, ku kanë marrë mbështetje që rrugëtimi i “Atlantikut “ në Shqipëri fillimisht, dhe pastaj në Kosovë të kaloj sa më mirë. Gjithashtu, ai ka përmendur edhe takimet edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi , kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e parlamentit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, nga të cilët, ka marrë përkrahje dhe mbështetje në organizimin e këtij eventi.
Kurse, Adrian Grajçevci, pjesëtar i Batalionit “Atlaniku”, dhe tani sekretarë i Shoqatës “Atlantiku”, mendon se ky 20 vjetor duhet të organizohet ndryshe, duke hapave të rrugëtimit të lirisë që mobilizoj dhe bashkoj Batalionin “Atlantiku”.
Në anën tjetër, pjesëtarja e vetme femër në Batalionin “Atlantiku”, Linda Muriqi, për Telegrafin, thotë se këtë ditë e pret me emocione të veçanta, por edhe me krenari, duke mos harruar shokët që sot më nuk janë në mesin tonë, dëshmorët e lirisë. Ajo thotë se Batalioni “Atlantiku”, do të jetë gjithmonë njëra ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur në jetë.
Rikujtimet e luftës për Uk Lushin, pjesëtar i Batalionit “Atlantiku”, nuk janë kurrë të këndshme, por janë shumë të nevojshme, sepse siç tha ai, duke rikujtuar luftën, njerëzit shohin dhe çmojnë rëndësinë e palës. E në këtë aspekt, ai thotë se është i gëzuar që përvoja e tyre për çlirimin e Kosovës, edhe pas 20 vitesh, do të kontribuojë përsëri për paqe.
Të njëjtin mendim ka edhe pjesëtari tjetër i Batalionit “Atlantiku”, Jon Lulgjuraj, tani arkëtar në Shoqatën “Atlantiku:, i cili shprehet i lumtur që “Atlantiku” edhe pas 20 viteve, është ende i bashkuar dhe gjatë gjithë kësaj kohe kanë ndarë gëzimet dhe hidhërimet së bashku si një familje e madhe.
I lindur dhe i rritur në Amerikë, e që për herë të parë ka shkelur tokën shqiptare në kuadër të Batalionit “Atlantiku”, Lulgjuraj thotë se tash që prapë e po e marrim këtë rrugë së bashku, ringjallë kujtimet dhe emocionet e ditëve më të rëndësishme të jetës së tij.
E veçanta e Batalionit “Atlantiku”, apo e shqiptaro-amerikanëve të UÇK-së
Organizimi i një formacioni ushtarak, dhënia e betimit dhe shkuarja në luftë nga një shtet, siç janë SHBA në një shtet tjetër, për komandantin e këtij Batalioni, Gani Shehu, është e veçanta e “Atlantikut”.
“Përfaqësimi në kuadër të Batalionit nga të gjitha trojet e gjeografisë shqiptare , shumë ushtarë kanë lindur në SHBA, shumë prej tyre asnjëherë nuk kanë qenë në Kosovë apo Shqipëri, janë po ashtu e veçanta e batalionit “Atlantiku “. Kontributi në luftë dhe organizimi në shoqatë, vazhdimi i aktivitetit për të mirën e vendit, kompaktësia, përgjegjësia dhe modestia, mendoj se i kanë dhënë “Atlantikut” respekt të merituar”, theksoi për Telegrafin komandant Shehu.
Edhe për pjesëtarët e tjerë të këtij formacioni ushtarak, bashkimi drejtë rrugëtimit për çlirimin e atdheut, ka qenë gati e pamundur, dhe të mendohet diçka e tillë në rrethanat që ishte Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi.
Lidhur me këtë, Adrian Grajçevci, shpjegon arsyen e të bërit bashkë, fillimisht si vullnetarë prej fillimit të luftës, edhe pse, sipas tij, sipas situata ishte e vështirë të organizohet diçka e tillë.
“Edhe pse ne kontribuonin në të gjitha mënyrat e mundshme me protesta, financiarisht, organizime të ndryshme, e gjithë kjo nuk ishte e mjaftueshme, prandaj donim që edhe fizikisht të jemi në mbrojtje të popullit në Kosovë. Pas thirrjes për mobilizim nga Shtabi i Përgjithshëm, vullnetarët vendosën të marrin këtë rrugë edhe individualisht, por Fondi ‘Vendlindja Thërret’, beri një organizim të shkëlqyer për vullnetarët që kishin vendosur të marrin këtë rrugë. Formacioni I vullnetareve u organizua në një Batalion me emrin ‘Atlantiku’”, tha Grajçevci, për Telegrafin.
Ndërkohë, për femrën e vetme në batalionin “Atlantiku”, Linda Muriqin, pjesëmarrja në këtë formacion ushtarak, ishte paksa e vështirë, pasi që ishte vetëm 16 vjeçare, kur u bë pjesë e pandashme e “Atlantikut.
“Etja për lirinë e atdheut i mundi të gjitha ndjenjat tjera , meqë kisha edhe përkrahjen e pa rezervë të familjes dhe të miqve të mi, e që njëkohësisht janë edhe ndjenja që nuk përshkruhen me fjalë”, thotë ajo.
Edhe për Jon Lulgjuraj, si një i ri i lindur dhe rritur në Amerikë, nisja e rrugëtimit drejtë çlirimit të atdheut ishte vendimi më i lehtë në jetën e tij.
“Arsyeja ishte që gjithë jeta e familjes dhe historia e popullit tim ishte vuajtje dhe sakrificë për të mbijetuar torturat, shpërnguljet dhe asimilimin nga armiqtë tanë me shekuj, deri të vitet 90-ta, kur Kosova luftonte për ekzistencën e saj. Kjo bëri, që unë të paraqitem si vullnetarë në fillim të luftës dhe kur u bë thirrja për mobilizim ishte lajmi më i mirë në jetën time”, shpjegon ai.
Momentet e paharruara të “Atlantikut”
Gjatë kohës kur pjesëtarët e këtij formacioni ushtarak ishin në shërbim të atdheut, ata nuk hezitojnë të tregojnë edhe për disa momentet, për të cilat ata thonë se janë të paharruara, dhe gjithmonë, sipas tyre, do të mbeten në kujtesës e tyre..
Një ndër momentet më të vështira për Batalionin “Atlantiku”, e që nuk do të harrohet kurrë, në veçanti për komandantin Gani Shehu, ka qenë rasti i tre vëllezërve Bytyqi.
Ai shpjegon se me gjitha faktin se ishte parim që nga një familje mos të shkojnë në luftë më shumë se një pjesëtar, qëndrimi i tyre ishte aq i vendosur dhe i palëkundur, sa që të tre vëllezërit, Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi, shkuan bashkë në çlirimin e atdheut, ku edhe ranë dëshmorë.
Po ashtu, komandant Shehu, tregon edhe për plagosjen e rëndë të Haxhi Dervishollit që humbi këmbën në luftë, plagosjen e rëndë të Xhemë Gojqajt dhe plagosjet tjera më të lehta, e që sipas tij, janë momente që nuk harrohen asnjëherë.
Kishte disa momente të paharruara, edhe për pjesëtaren e “Atlantikut”, Linda Muriqin, e cila për lexuesit e Telegrafit ka ndarë njërin ndër momentin, që ajo nuk do ta harron asnjëherë.
“Në atë kohë kur ne kemi mbërritur në Burrel, edhe si motiv kur më kanë parë mua si femër e vetme, na janë bashkuar edhe 2000 ushtarë, të cilët me kanë bërë të ndihem shumë mirë, sepse ata u bashkuan me ne, shkaku im si femër e vetme, e që kisha vetëm 16 vjeç në atë kohë”, tregon ajo.
Kosova 19 vjet pas çlirimit të saj, dhe 10 vjet të Pavarësisë
Megjithëse, Kosova ka bërë progres të madh në shumë fusha, pas 19 vjet të çlirimit dhe 10 vjet pas pavarësisë , për komandant Shehun, Kosova është histori suksesi.
Këtë e thotë ai, duke mos harruar faktin se Serbia punon dhe propagandon në vazhdimësi kundër Kosovës, mandej, sipas tij, edhe qëndrimi i disa shteteve të Bashkimit Evropian dhe propaganda e tyre, kanë qenë, janë dhe do të mbesin, sipas Shehut, sfida me të cilat Kosova do të përballet.
“Kosova shtet me institucione, ushtri, polici, organe tjera të sigurisë, infrastrukturë rrugore ndër më të mirat në Ballkan, janë për tu çmuar si të arritura. Zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës që krijojnë perspektivë për të ardhmen e vendit, janë shqetësim. Mandej lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë e pamëshirshme për të ecur përpara . Faktor shumë me rëndësi është edhe bashkëpunimi dhe bashkëveprimi pozitë-opozitë për të mirën e vendit”, shpjegon për Telegrafin komandanti i Batalionit ‘Atlantiku”, Gani Shehu.
Edhe për Adrian Grajçevcin, pjesëtarin e “Atlantikut”, ka arritje të mëdha dhe historike. Por, se si shteti i Kosovës mendonim se do të duket dhe pritjet e mëdha që kishim, ai thotë se ka ende probleme që duhet të zgjidhën.
Nuk jemi të kënaqur për shumë arsye, sidomos situata politike dhe ekonomike në vend, që vërtet nuk kanë ecur ashtu si duhet. Betimi ynë ishte deri në çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare, kështu që duhet të mendojmë më shumë për shqiptarët në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë, Ulqin, Plave Guci, Malësi, Maqedoni, Çamëri duke mos lejuar asimilimin dhe shpërnguljen e tyre nga ato troje”, thotë Grajçevci.
Kosova është menduar më ndryshe, edhe për Linda Muriqin, e cila thotë se, 19 vjet pas çlirimit të vendit, Kosovën e ka menduar më mirë, jo vetëm ajo, por edhe të gjitha ata që kanë kapur pushkën për liri.
“Jemi shtet në tranzicion dhe besojmë se padyshim do të bëhet më mirë, e do të bëhen realitet ëndrrat e dëshmorëve të kombit”, thotë ajo.
Edhe për pjesëtarin tjetër, Uk Lushi, Kosova nuk është krejt si e kanë ëndërruar ata në vijat e frontit atëbotë, e sidomos jo si janë betuar për të dëshmorët.
“Por Kosova ka shënuar edhe përparime dhe jemi në rrugën e UÇK-së duke u përpjekur të shkojmë në cakun e përbashkët pan-shqiptar. Gjithsesi, të gjithë duhet të bëjmë më shumë në betejat për jetë më të mirë, kundër stërkeqes së disave, dhe zhvillim ekonomik, shoqëror dhe kombëtar”, theksoi ai.
Në anën tjetër, Jon Lulgjuraj, mendon se Kosova ka përparuar në shumë drejtime duke kaluar procese historike, si shpallja e Pavarësisë, ndërtimi i institucioneve, fitorja në Gjykatën Ndërkombëtare, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare deri te krijimi i Ushtrisë. Por, ai shpreson se vendi të zhvillohet ekonomikisht, dhe të rinjtë tanë të kenë mundësi më të mira për të ardhmen e tyre.
Vlerësimi i vlerave të luftës së UCK-së, nga institucionet e Kosovës
Shpesh herë shumë pjesëtarë të UÇK-së, nuk kanë qenë të kënaqur me vlerësimin që është bërë ndaj vlera të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata shumë herë kanë deklaruar se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë aq sa duhet që respektimi i vlerave të luftës, të jetë në nivelin e duhur.
Për këtë çështje, pra sa u përket vlerave të luftës së lavdishme të UÇK-së, komandant Shehu mendon se nuk është bërë sa duhet dhe sipas tij, lufta jonë e drejtë nuk e ka vendin e merituar.
“Mendoj se sakrifica e popullit të Kosovës në ballë me UÇK-në duhet të jetë vlerë e të gjithëve dhe jo vetëm e atyre që bën luftën, dhe si vlerë duhet ta mbrojmë dhe ruajmë, ngase është e jona dhe e përbashkët”, theksoi ai.
Edhe për Linda Muriqin, nuk janë vlerësuar drejtë vlerat e luftës dhe betimi i tyre i shenjtë.
“Institucionet duhet të bëjnë shumë më shumë për luftëtaret e lirisë , ku shumë prej tyre janë në mëshirën e fatit dhe Zotit. Luftëtarët e lirisë dhe familjet e dëshmorëve, meritojnë trajtim më të mirë dhe të veçantë, por shpresat tona vazhdojnë se një ditë do të jetë më mirë”, tha ajo, duke shtuar se janë gjithmonë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut sa herë të është nevoja.
Ndërkohë për shqiptaro-amerikanin Jon Lulgjuraj, është bërë një padrejtësi kundër shumë ish- luftëtarëve vullnetarë të UÇK-së, që prej pas lufte deri sot akuzohen nëpër Gjykatat Ndërkombëtare, dhe ato vendore, të montuara për të zhvlerësuar luftën e shenjt çlirimtare.
“Jam shumë i zhgënjyer me akuzat e fundit për keqpërdorim të statusit të veteranit nga njerëz të pandërgjegjshëm që për interesa personale fyejnë gjakun dhe sakrificën e dëshmorëve dhe veteranëve të vërtet”, tha Lulgjuraj.
Por, sa janë shqiptarët në përgjithësi të bashkuar, të unifikuar, të formuar dhe të ofruar me njëri-tjetrin., për sensibilizimin e çështjeve kombëtare në tërësi, sipas pjesëtarëve të Batalionit “Atlantiku, kjo çështje lë shumë për të dëshiruar, pasi që sipas tyre të gjithë duhet të angazhohen më shumë në këtë drejtim.
“Jo, nuk jemi të bashkuar të unifikuar, të formuar dhe të ofruar me njëri-tjetrin., për sensibilizimin e çështjeve kombëtare. Duhet të angazhohemi, të gjithë, më shumë”, ishte përgjigjja e shkurtër e pjesëtarit të “Atlantikut”, Uk Lushit.
Përderisa për pjesëtarin tjetër, Jon Lulgjuraj, betimi që kanë dhënë në luftë ishte deri në çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare.
“Në këtë aspekt, mendoj që nuk kemi bërë sa duhet duke pasur parasysh problemet me shqiptarët ne Luginë, në Malësi, Plavë dhe Guci, Ulqin, problemet e pazgjidhura në Maqedoni e deri në Çamër, shpjegon ai, duke shtuar që strategjia kombëtare dhe unifikimi i faktorit politik shqiptarë në rajon, është vendimtare për të ardhmen kombëtare”.
Vëllezërit Bytyqi- heronjtë që nuk vdesin kurrë
“Në qoftë se çmimi i lirisë ishin jetërat tona- ne nuk mund të japim më shumë”, “Se Zoti vet e tha me gojë, që kombet shuhen për mbi dhe, Po Shqipëria do të rrojë, Për te, për te luftuam ne”, dhe “Mbani këto fjalë në zemrat tuaja dhe kurrë mos harroni se kush jeni”, janë epitafet e shënuara në gurët e varrit të tre vëllezërve Bytyqi.
Duhet cekur se tre vëllezërit Bytyqi, Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi, të vrarë mizorisht nga shteti serb, gati 20 vjet më pas, Serbia ende nuk i ka dënuar kriminelët. Vëllezërit Bytyqi, prehen të qetë në Yankers, për një fakt të thjeshtë dhe të rëndësishëm historik, ku nga hoteli “Royal Regency”, në Yonkers të New Yorkut, u nisën ushtrat e parë të UÇK-së në kuadër të Batalionit “Atlantiku”.
Për këtë fakt, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar vëllezërit Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi, për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës, me urdhrin “Hero i Kosovës”.
Kurse, kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është padrejtësi që Ylli, Agroni e Mehmeti nuk janë me ne, por një drejtësi ka ndodhë, e kjo, sipas tij është liria e Kosovës. Duke besuar se edhe drejtësia për vëllezërit Bytyqi duhet të vendoset.
Edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një vizite që ju bëri heronjve të lirisë, pra vëllezërve Bytyqi, tha se përulet për sakrificën e popullit të Kosovës dhe para këtyre heronjve të lirisë.
Ndërkaq, për komandantin e Batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu, historia e Atlantikut, në një mënyrë apo tjetër, është e lidhur me fatin e tre dëshmorëve, pra të tre heronjve, të Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi.
Por, për prindërit e tre vëllezërve Bytyqi, ëndrra e tre djemve të tyre tashmë heronj që nuk do të harrohen kurrë, dhe e tyre, e që u bë realitet, është formimi i Ushtrisë së Kosovës. Edhe përkundër dhimbjes për humbjen e tre djemve të tij, babit i Yll, Mehmet dhe Agron Bytyqi, baca Ahmet, qëndron i fortë, duke mos harruar asnjëherë Kosovën dhe të ardhmen e saj.
“Pasi që Ushtria e Kosovës u bë, edhe nëse vdes nuk kam dert”, u shpreh baca Ahmet, duke thënë se shqiptarët shquhen për krenarinë e tyre dhe se edhe nga shteti në të cilin jetojnë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë mësuar shumë se si arrihet liria, duke çmuar kontributin e saj për lirinë e shqiptarëve.
Megjithëse, kanë kaluar gati dy dekada nga vrasja e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në Serbi dhe ndaj askujt nuk janë ngritur akuza penale, megjithë premtimet e qeverisë serbe për të sjellë ekzekutorët e krimit përpara drejtësisë.
Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në qershor të këtij viti i kanë dhënë dritën e gjelbër një rezolute, e cila u kërkon Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë trysninë ndaj qeverisë serbe për ndëshkimin e fajtorëve.
Kongresmeni republikan nga New Yorku, Lee Zeldin, ishte sponsorizuesi kryesor i rezolutës për vëllezërit Bytyqi.
Vëllezërit Bytyçi kishin lindur në Chicago, në shtetin e Illinoisit, në vitet e 70-ta, pasi kreu i kësaj familjeje, Ahmet Bytyqi, i detyruar nga dhuna jugosllave, u zhvendos nga Prizreni dhe u vendos në Chicago.
Krijimi i Shoqatës “Atlantiku”, vazhdimësi e Batalionit “Atlantiku”
Pas përfundimit të luftës, pikërisht në vitin 2000, është krijuar Shoqata “Atlantiku” si vazhdimësi e Batalionit “Atlantiku”, me të vetmin qëllim për të vazhduar kontributin në çështjen kombëtare.
Për komandantin e Batalionit “Atlantiku”, tani kryetar i Shoqatës që mbanë emrin “Atlantiku”, Gani Shehu, kontributi i tij personal, edhe i bashkëluftëtarëve si shoqatë në komunitetin shqiptaro-amerikan, është i vazhdueshëm dhe konstruktiv, dhe gjithmonë në avancimin e çështjes kombëtare.
Përfaqësuesit e kësaj Shoqate, bëjnë të ditur për Telegrafin, se tash 5 vite Shoqata “Atlantiku” është pjesë e Bashkimit të Organizatave me në krye të Këshilltarit të New Yorkut, Mark Gjonaj, duke mobilizuar të gjitha forcat në një vizion për komunitetin shqiptarë, dhe duke u drejtuar rreth nevojave të mëdha që ka komuniteti për ruajtjen e identitetit tonë si komunitet shqiptarë, sidomos me gjeneratën e re, që për shumë vite ishte lënë anash.
Adrian Grajçevci, sekretarë i Shoqatës “Atlantiku”, thotë se tani merret me detyrat dhe projektet e Shoqatës, duke koordinuar takimet me komunitet, dhe delegacione të ndryshme sidomos me Shoqatat që tashmë kanë krijuar traditë bashkëpunimi në interes të komunitetit shqiptarë.
Por sa janë të përfshirë të rinjtë e komunitetit shqiptarë në këtë Shoqatë, Grajçevci theksoi se misioni i tyre është tashmë për shkollimin e kadetëve nga Kosova në Akademinë ushtarake në SHBA, që ishte hera e parë e një bashkëpunimi të tillë, ndihma për veteranët dhe invalidët e UÇK-së etj.
“Prej fillimit kishte shumë të rinj që ishin pjesë e Shoqatës, duke ndihmuar ne organizime dhe aktivitete të ndryshme”, tha Grajçevci, duke bërë të ditur se, ka dy vjet që kanë një projekt për afrimin e sa më shumë të rinjve dhe studentëve, për t’i angazhuar në aktivitete duke rritur edhe me shume Shoqatën./Telegrafi