Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në shtëpinë e një të dyshuari për vjedhje në Prishtinë, me ç’rast ka gjetur armë e municion, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, njësia e hetimeve në Policinë e Kosovës fillimisht ka arritur të sigurojë informacione për dy persona të dyshuar në lidhje me disa vjedhje.

Pas marrjes së informacioneve, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e të dyshuarit K.G., ku është gjetur armë, karikator, dhjetëra fishekë dhe një çantë për armë.

Gjatë kryerjes së kontrollit janë gjetur edhe një palë atlete që i dyshuari ka pasur të mbathura kur ka kryer një vjedhje.

I dyshuari K.G., nuk është gjetur në shtëpi, ndërsa vëllai i tij ka tentuar t’i fsheh gjurmët e tij, duke i hedhur nga dritarja e shtëpisë dy çanta me armë e municion. Sipas burimeve të Sinjalit, i njëjti ka deklaruar se arma dhe municioni janë të vëllait të tij.

Lidhur me këtë rast, pas intervistimit të A.G., i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.