Pas testimit për COVID-19, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, për “Zërin” ka thënë se bashkëshortja, djali dhe ai kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, ndërsa për fat të mirë djali tjetër dhe vajza kanë rezultuar negativë. Gjendja e tyre shëndetësore sipas Lenjanit është e qëndrueshme. Bashkë me familjen drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK është izoluar, ndërsa po trajtohen me antibiotikë.
“Edhe pse nuk kemi pasur asnjë lloj simptome, ne si familje kemi dashtë me u testu, meqenëse ne punojmë në një shërbim ku ka qarkullim të njerëzve dhe në ditën e shtunë kemi rezultuar pozitivë me COVID-19 unë, bashkëshortja edhe djali. Ndërkohë djali tjetër me vajzën kanë rezultuar negativë. Shenjat të cilat i kemi janë: lodhje kronike, një plogështi, një kokëdhimbje, por nuk kemi pasur kollë. Menjëherë pas konfirmimit jemi izoluar dhe jemi duke u trajtuar me antibiotikë”, ka deklaruar për “Zërin”, ai.
Lenjani pohon se përkundër kësaj është duke punuar normalisht dhe po vazhdon të kryejë detyrën e tij nga shtëpia.






