Shitja e barnave pa recetë është një dukuri shqetësuese në Kosovë. Thuajse në të gjitha barnatoret e Kosovës, secili qytetar mund të blejë barna pa udhëzimin e mjekut pa asnjë problem. Një gjendje e tillë ka qenë e pranishme qysh moti dhe vazhdon të na përcjellë edhe sot.

Kosova tashmë ka legjislacionin, sipas të cilit nuk është e lejueshme që barnat të shiten pa udhëzimin e mjekut, por një gjë e tillë nuk zbatohet në praktikë. Përveç produkteve bimore, vitaminave dhe preparateve dermokozmetike, të cilat nuk janë të obligueshme të shitën me recetën e mjekut, në barnatoret tona shpesh mund të merren edhe barnat tjera pa recetë duke përjashtuar ato që kanë efekt qetësues dhe ampulave.

Madje, tani ka dal edhe një metodë e re e shitjes së tyre, ajo online.

Në internet gjenë faqe online, në të cilat edhe mund të porosisni disa nga barnat që ju nevojiten.

Shitja e këtyre barnave online, madje është paralajmëruar/reklamuar edhe përmes mesazheve në njërin nga operatorët telefonik.

Megjithëse shumica e tyre kanë përbërje bimore, disa prej tyre edhe nuk rekomandohet të merren pa përshkrim të mjekut.

Si shembull kemi marrë xhelin për sy “Recugel”. Sipas përshkrimit, para përdorimit të saj duhet të konsultoheni me mjekun përkatës.

Megjithatë, një xhel të tillë mund ta gjeni edhe online në internet.

Shitja e këtyre medikamenteve, në këtë mënyrë po konsiderohet e rrezikshme.

Farmacisti, Pajtim Thaqi në një prononcim për Indeksonline thotë se shitja e tyre dhe distribuimi i barnave në formë të tillë është e rrezikshme sepse nuk dihet siguria e marrjes së barnave.

Sipas tij, grupet më të rrezikuara nga shitja e këtyre barnave janë fëmijët, shtatzënat dhe pleqtë.

“Shitja e medikamenteve dhe distribuimi i barnave në formën e tillë është e rrezikshme sepse nuk dihet siguria e marrjes se barnave. Institucioni i vetëm ku jepen barnat janë Barnatoret komunitare. Edhe në Barnatoret Komunitare ka barna që jepen pa recetë të mjekut , por gjithmonë duhet pas parasysh rrezikun e tyre. E udhës është dhënia e barnave vetëm me recetë të mjekut sepse kjo rritë përgjegjësinë edhe të punonjëseve në farmaci por edhe udhëzimin e drejtë të pacientëve. Grupet e rrezikuara të barnave pa recetë janë fëmijët, shtatzënat dhe pleqtë. Inspektorati farmaceutik duhet të ndalojë një formë të tillë të marrjes së barnave”, është shprehur Thaqi.

Për këtë, ka reaguar edhe ish mbikëqyrësi shtetëror nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Mentor Hoxhaj, tani drejtues i Komunitetit “Cyber Security Privacy”.

Në një prononcim për Indeksonline, ai ka thënë se shitja e barnave në mënyrë të tillë tërheqë me vete mundësinë e keqpërdorimit dhe rrezikimit të shëndetit të njeriut.

Shqetësimi i tij është edhe shkelja e garantuar e pavarësisë. Sipas tij, një formë e tillë e reklamimit është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Padyshim që shitja e barnave online dhe forma e reklamimit, tërheqë në vete mundësinë e keqpërdorimit dhe rrezikimit dhe të shëndetit të njeriut, kur dihet që janë vetëm një numër i vogël i barnave të cilat mund të shiten pa recetë. Shqetësimi im profesional, ka të bëj me shkeljen e garantuar të pavarësisë. Dhe atë në këtë rast: 1. Mund të ju dërgohet mesazh promocional/reklamues, vetëm personave të cilët paraprakisht kanë pranuar të pranojnë mesazhe të tilla; 2. Dhe ne rastet kur personi ka dhënë pëlqimin e tij, duhet t’i ofrohet mundësia të tërheqë pëlqimin e dhënë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Indeksonline ka kërkuar një përgjigje për këtë rast edhe nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo ende nuk ka pasur një reagim të tyre.