Federata e Futbollit të Spanjës ka njoftuar se kush duhet t’i zë vendet në kupat evropiane në rast se sezoni i La Ligës nuk mund të përfundohet.

Ekziston frika e madhe se edicioni 2019/20 nuk do të kompletohet për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Marca” ka njoftuar se në rast se nuk do të përfundohet edicioni në La Liga, Federata Spanjolle ka propozuar që katër vendet në Ligën e Kampionëve do të shkojnë te klubet sipas renditjes aktuale – Barcelona, Real Madridi, Sevilla e Real Sociedadi. Pjesë e Sociedadit është Adnan Januzaj.

Kjo do të nënkuptonte se Atletico Madridi e Getafe do të vazhdojnë në Ligën e Evropës. Athletic Bilbao po ashtu do të kishte një vend në Ligën e Evropës, pasi ka arritur në finale të Kupës së Spanjës. Por, në rast se luhet finalja e Kupës së Spanjës dhe Bilbao pëson nga Sociedadi, atëherë vendi në Ligën e Evropës do të shkojë te Valencia, që zë vendin e shtatë në renditje.