I gjatë ka qenë diskutimi për themelimin e Komiteteve të përhershme të Kuvendit të Komunës për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete në Podujevë, shkruan Llapi.info. I gjithë diskutimi thuajse u bë për përfaqësimin të barabartë të të dy gjinive. E në këtë diskutim përveç këshilltarëve komunal të partive të ndryshme u përfshi edhe nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

Atij, madje i pëlqente edhe debati i cili bëhej për këtë përfaqësim të barabartë. Mirëpo, kundërshti në themelimin e këtyre dy komiteteve patën dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK. Kryetari i VV- së, Bajram Ajeti ka kërkuar përgjegjësi se në rendin e ditës i cili edhe u është dorëzuar këshilltarëve nuk është edhe sqarimi për përfaqësim të barabartë.

“Në pikat e rendit të ditës të cilat na janë dorëzuar nuk është 50/50 përfaqësimi i gjinive. Pasi përfaqësimi duhet të jetë në proporcion me numrin e votave të anëtarëve në Kuvend e ajo është 30/50. Ne kërkojmë përgjegjësi për këtë, ani pse ne jemi që të kemi një përfaqësim deri në 70% të gjinisë femërore” tha Ajeti.

Kurse këshilltari nga radhët e PDK- së, Rafet Llapashtica ka thënë se ne si Kuvend duhet që të respektojmë ligjet e fundit të cilat e rregullojnë të drejtën e barabartë. E gjithë kjo pasi që në komunën e Podujevës sipas tij deri më tani përfaqësimi ka qenë 30%.

I menjëhershëm ishte edhe sqarimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fatmir Gashi.
“Ne në takimet të cilat i kemi pasur na është kërkuar që përfaqësimi në këto komitete me çdo kusht të jetë 50-50”, ka thënë shkurt Gashi. Mirëpo, përfaqësim i barabartë nuk ndodhi pasi kryesuesi i KK, Gashi nuk ka arritur që komunitetin pakicë ta bindë për përfshirje të barabartë të të dy gjinive.

“Tek komunitetet nuk kemi mundur të nxjerrim më shumë përfaqësim të gjinisë femërore. Mund të vazhdojmë mirëpo vetëm sa humbim kohë. Nuk mund që t’ua imponoj. Nëse Ministria e rikthen si të pa vlefshëm këtë Komitet atëherë do të bëjmë sërish përpjekje që të ketë përfaqësim të barabartë” tha ai.

Kundër qëndrimit të tij sërish dolën dy partitë opozitare. Këshilltari Rafet Llapashtica nga PDK tha se Komitetin për Komitete nuk do ta votojë vetëm për një arsye të vetme.
“Nuk kam asgjë personale me askënd, mirëpo jam kundër çdo individi të cilit asnjëherë nuk ia kam parë fytyrën. Nuk mund të votojë për dikë që nuk e kam parë asnjëherë” tha ai duke aluduar në anëtarin e pakicës serbe, Radislav Pervoviq.

Kurse, Ajeti nga VV nuk u pajtua me përfaqësim të pa barabartë tek komunitetet.
“U pajtuam paraprakisht për përfaqësim 50/50. Këtu po dalin se te komunitetet nuk po del 50/50. Propozoj që të mos ngutemi dhe të mos votohet pasi nuk jemi gati. Nëse duam që të respektojmë procedurat atëherë nuk shoh që janë plotësuar kushtet” tha ai.
Pas gjithë diskutimit i cili edhe u bë për këto komitete, ato, që të dyja u votuan mirëpo, për ndonjë vendim të Ministrisë i cili do e konsideronte si të jashtë ligjshëm mos përfaqësimin e barabartë tek komunitetet, partitë opozitare kërkuan që barra e përgjegjësisë tu mbetet atyre.

Anëtarë të Komitetit për Politikë dhe Financa u zgjodhën Ahmet Gashi, Arlinda Kadriu, Avni Fetahu dhe Fatlume Jaha nga LDK, Fitim Haziri dhe Adelina Stublla nga VV, Filloreta Zejnullahu dhe Rafet Llapashtica nga PDK.

Anëtarë të Komitetit për Komuniete i cili duhet përbërë nga pesë anëtarë të pakicave u zgjidhën, Shaban Ahmeti, Xhafer Ademi dhe Valentina Lata nga komuniteti ashkali, nga komuniteti rom Mefail Rama dhe nga ai serb Radisav Peroviq. Ndërsa, nga LDK u zgjidh Valbona Kadriu, nga radhët e VV- së, Doruntina Hasani dhe nga PDK Bashkim Syla./Llapi.info