Vazhdojnë të vijnë rrëfime rrëqethëse nga Thumana për punën e Ushtrisë së Kosovës në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë pas tërmetit që shkaktoi shumë viktima.

Në një lidhje direkte për “Debat Plus” në RTV Dukagjini, një familjar, i cili thotë se ka nën rrënoja shumë familjarë, ka falënderuar shumë ushtarët e Kosovës.“Rreth orës 2:00 forcat ushtarake të Kosovës kanë shpëtuar nga rrënojat djalin e xhaxhait Albert Cara.

Para 20 minutash forcat e Kosovës kanë nxjerrë edhe vajzën e xhaxhait, e cila është nisur me urgjencë drejt spitalit ushtarak”.

Cara thotë se fatkeqësia i ka goditur rëndë por thotë se nuk mund të harrojë kontributin e Kosovës.“Forcat e Kosovës kanë rrezikuar edhe jetën e tyre për të shpëtuar jetën e Linditës. Katër anëtarët tjerë të familjes i kam nën rrënoja dhe lusim Zotin që të na fal dhe të kemi durim. Kemi mundur të humbim edhe shtatë anëtarë të familjes”.Banori i Thumanës thotë se kjo është tragjedia më e madhe e jetës së tij të cilën “kurrë nuk do të mund ta harrojë”.