Banorët e fshatit Zagori në Komunën e Vushtrrisë menjëherë pas dorëzimit të peticioneve në institucionet përgjegjëse, u mblodhën në fshatin e tyre për të shprehur qëndrimin kundërshtues ndaj projektit për ndërtimin e një kishe katolike.
Gjatë këtij tubimi, ata theksuan se kundërshtimi i tyre nuk është i drejtuar ndaj besimtarëve katolikë dhe as ndaj lirisë së besimit apo ndërtimit të objekteve fetare.
Sipas tyre, objektet e kultit duhet të ndërtohen aty ku ekziston një komunitet besimtarësh që ka nevojë reale për to.
Banorët vlerësojnë se në Zagori, ku popullsia është tërësisht myslimane, nuk ekziston një nevojë e tillë, prandaj konsiderojnë se realizimi i këtij projekti nuk i shërben interesit të komunitetit lokal.
Ata shprehën gjithashtu shqetësimin se ndërtimi i këtij objekti mund të ndikojë në prishjen e harmonisë së deritanishme dhe të krijojë tensione e përçarje të panevojshme në zonë.







