Një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë brenda 2020-s parashikohet në raportin më të ri të Bankës Botërore, nëse masat frenuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit. Kjo rënie, sipas raportit do të pasohej me një rikthim në rritje, vitin vijues.

“Për Kosovën, raporti parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020 (skenari bazë), e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021”, shkruan në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore, i cili shqyrton skenarin bazë dhe skenarin më pesimist për të gjitha vendet e botës.

E vendimtar për Kosovën, në zbutjen e ndikimit të menjëhershëm të pandemisë në ekonomi, mbetet “shënjestrimi adekuat në ofrimin e pakos për më nevojtarët”.

“Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora. Ndërsa konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, eksportet e shërbimeve dhe investimet do të marrin më shumë kohë për t’u rimëkëmbur. Në këtë kontekst, të hyrat publike do të pësojnë rënie të konsiderueshme”, paralajmëron Banka Botërore.

Ky trup botëror përmend edhe mungesën e hapësirës fiskale për zbutjen e efekteve të pandemisë, shkaku që “Kosova hyri në krizë me disa mbulesa fiskale (depozita të larta qeveritare, borxh relativisht të ulët publik”.

Kjo hapësirë, sipas saj, është e kufizuar edhe nga rritja e njëkohshme e shpenzimeve rrjedhëse.

“Sidoqoftë, tejzgjatja e pandemisë dhe masave frenuese mund të çojnë në recesion më të thellë dhe mungesë më të madhe të të hyrave, duke kufizuar më tej hapësirën fiskale për përgjigje në nivel të politikave. Përveç shtyrjes së përgjithshme të pagesave të detyrimeve tatimore, qeveria në detyrë veproi me shpejtësi dhe shpalli pakon e reagimit ndaj emergjencës prej rreth 2.8 për qind të GDP-së, për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura”, shkruhet për Kosovën.

Ndërkohë, sa i përket Ballkanit në tërësi, rënia parashikohet të jetë në mes të 3 dhe 5.6 për qind.

Në raportin e Bankës Botërore, skenari bazë supozon se masat frenuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit dhe rimëkëmbja graduale të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2020. Skenari më pesimist supozon se shpërthimi do të zgjatet dhe masat frenuese do të mund të hiqen vetëm në fund të gushtit, me rimëkëmbje të aktivitetit ekonomik vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2020.

Banka Botërore është duke finalizuar një program aktivitetesh, që është mund të tejkalojë 120 milionë euro, për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të COVID-19. Ky program përfshin një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare, midis tjerash.

“Banka Botërore është e përkushtuar të mbetet partner i fortë për Kosovën gjatë këtyre kohërave të vështira dhe ekipet tona po punojnë për t’i ndihmuar Kosovës dhe për t’iu përgjigjur sa më shpejt krizës së COVID-19”, ka thënë Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

“Pas aprovimit nga Banka Botërore, është i nevojshëm nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes nga Qeveria si dhe ratifikimi nga Kuvendi për të siguruar që fondet janë në dispozicion për të përfituar Kosova dhe qytetarët e saj”.