Hykmete N. Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka hedhur kritika në drejtim të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se abuzimi më i madh është duke u bërë nga kjo qeveri.

Bajrami ka shtuar se ky abuzim nga qeveria po ndodh për shkak se këta të fundit po abuzojnë me votën që e kanë marrë.

Tutje ajo ka thënë se sipas saj, mashtrimet e qeverisë do të ndëshkohen nga votuesit, duke përmendur si shembull rastin e fundit në zgjedhjet lokale, ku VV-ja morri katër komuna.

Postimi i plotë:

KUSH JANË ABUZUESIT?

A janë abuzues ata të cilët po paguajnë më shume taksa për shkak se i besojnë më shumë Qeverisë Kurti?
A janë abuzues ata të cilët punësojnë rreth 280 mijë punëtorë dhe po mbajnë rreth 200 mijë familje?
A janë abuzues ata që e mbushin buxhetin e shtetit, prej të cilit paguhen rreth 83 mijë shërbyes civilë dhe rreth 305 mijë përfitues të skemave sociale?
Sipas VV dhe Qeverisë çmimet janë rritë për shkak të abuzuesve e jo për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Mos harroni, keni marrë 51% të votave, ju kanë votuar edhe ata që sot po i quani abuzues. Mirëpo, abuzimi më i madh në një demokraci është ajo çka jeni duke bërë ju, po abuzoni me votën që keni marrë.

Pse s’po realizoni premtimet me të cilat i keni marrë votat?

Pushtetin e keni marrë me premtime se do ta bëni ZERO TVSH për MIELLIN?

Pushtetin e keni marrë me premtime se do ta bëni ZERO TVSH për VAJIN?

Pushtetin e keni marrë me premtime se do ta bëni ZERO TVSH për QUMSHTIN?

Pushtetin e keni marrë me premtime se do ta bëni ZERO TVSH për SHEQERIN?

Këto mashtrime dhe këto premtime do të ndëshkohen nga votuesit. Kemi shembuj plot dhe rasti i fundit te zgjedhjet lokale ku partia në pushtet mbeti VEÇ me katër komuna!