Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami i është drejtuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, duke i kërkuar që të bëjë zgjidhje për hapjen e shkollave.

Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka thënë që shkollat po mbahen të mbyllura “si në kohë lufte”.

“Kryeministër bëni zgjidhje për hapjen e shkollave. Sot, si në kohë lufte, shkollat janë të mbyllura. Kjo nuk është zgjidhje. Sot do të duhej të uronim fillimin e vitit të ri shkollor. Sikurse po ndodh në vendet e rajonit. Kur erdhi pandemia, më 11 mars 2020 u mbyllën shkollat por pas një jave filloi mësimi online”.

Tutje Bajrami ka thënë që deri tash sipas saj, nuk ka një rrugë të qartë “një strategji ose dokument të Ministrisë së Arsimit për hapjen e shkollave”.

“Kryeministër, duhet të bëni zgjidhje, e di që jeni i zënë edhe me punë tjera, edhe më angazhime e punësime partiake, edhe me fushatën elektorale, por po kërkoj nga ju dhe secili anëtar i kabinetit qeveritar të fokusoheni në gjetjen e një zgjidhje për hapjen e shkollave. Deri tash s’kam parë një rrugë të qartë, një strategji ose dokument të Ministrisë së Arsimit për hapjen e shkollave. Kryeministër bëni zgjidhje. Ka kohë për fushatë elektorale. Ka kohë për sulme politike. Qytetarët ju votuan për të bërë zgjidhje dhe fjala është e juaja”, ka thënë ajo.