Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, më konkretisht edhe kryeministrin Albin Kurti, për “punësime partiake”. Bajrami, në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se VV-ja 15 vjet në opozitë vetëm ka mashtuar popullin, transmeton Reporteri.net.
“Mbi 15 vjet arriti t’i bindë qytetarët se do t’i ulin çmimet, do të luftohet nepotizmi. Na kujtohet Kurti në fushatë kur thoshte kushëritë janë për dasma, jo për punësime në ministri. Dëgjohen aty qytetarët kur i thonë të lumtë goja. Pra, qytetarët verbërisht i kanë besuar Kurtit”, tha Bajrami.
Ajo ka folur edhe për punësimet në KEK, të militantëve të VV-së
“Nuk po them që nuk ka pasur nepotizëm në të kaluarën, por në emë të LDK-së po ju them se VV ju ka mashtruar. Ajo çka ndodhi në KEK është veprim i dëmshëm i VV-së. LDK-ja në vazhdimësi ka ngritur me shqetësim punësimet partiake, ky fenomen është i rrezikshëm. Menaxhmenti i KEK-ut nuk ka ndërmarrë asgjë, por ka mbajtur të fshehtë listën. LDK-ja dje ka dorëzuar kallëzim penal dhe konkursi të kthehet në pikën zero. Ju po linqoni mediat që kanë denoncuar këto raste”, tha tutje Bajrami.






