Bajram Qerkini edhe pas 20 vjetëve nuk e ka gjetur djalin e tij të zhdukur.
Përjetimin dhe dhimbjen e njëjtë e kanë edhe familjarët e mbi 1600 personave të tjerë që konsiderohen të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Por, Qerkini ka thënë se ky është çmimi i lirisë.
“Këto ditë po derdhen gurra lotësh në të gjitha komunat. Janë këta dy muaj të gjakut, por është edhe krenari dhe forcë sepse kemi arritur një shtet që e kanë ëndërruar babë e babagjysh”.
“Ju bëj apel baballarëve, nënave, vëllezërve dhe motrave që të kenë kurajo dhe të mos derdhin shumë lotë për shkak të të rinjve”.
“Mbesat e mia më shohin si gjysh i vuajtur. Familja Qerkini ndoshta është e vetmja që ka tri gjenerata të të pagjeturve – babagjysh, stërgjysh dhe tash edhe djalin”.
“Mos të kishte qenë ky gjak dhe këta lotë, nuk kishim liri. Liria është kështu, shumë e shtrenjtë”.
Ai në Sytë 7 në Klan Kosova ka treguar se ku e gjen forcën për ta përballuar këtë dhimbje.
“Pa sfida nuk ka në botë, por ne kemi vuajtur shumë dhe e kemi gëzuar një liri që as nuk është paramenduar të bëhet në Kosovë”.
“Forca ime është ajo që thërras gjithë familjarët e mbi 1500 të pagjeturve të kenë forcë si të Bajramit që i ka bërë 80 vjet sepse nuk bëhet që të ballafaqohemi me të kaluarën dhe me lotë”.
“Lotët tregojnë që kurrë nuk harrohet ajo që ka ndodhur. Mjerisht nuk po dënohen vrasjet, masakrimet, dhunimet dhe të gjitha të zezat që janë bërë”.
“Por, pa këto të zeza nuk do të vinte as liria prandaj kam forcë edhe mundohem që të japë kontributin tim”.
Qerkini që është edhe përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve ka thënë se këta të fundit nuk janë të kënaqur me punën që institucionet e vendit po e bëjnë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Ne familjarët nuk jemi të kënaqur. Kam dhënë skica dhe dokumentacion të hatashëm se ku gjenden njerëzit e zhdukur. Këto dokumente janë të nënshkruara prej njerëzve që kanë qenë kompetent që t’i fshehin kufomat”.
“Ende nuk bëhet asgjë. Pas 20 vjetëve nuk mund të them se janë vetëm ndërkombëtarët fajtorë, por jemi edhe ne vet fajtorë”.
“Duhet t’i ndërpresim bisedat derisa të tregohen se ku janë personat e zhdukur. Institucionet serbe kanë fotografi për çdo person të zhdukur”.
“Ne duhet të jemi këmbëngulës që të na tregojnë se ku janë trupat e të zhdukurve”.
Ai ka deklaruar gjithashtu se institucionet e vendit kanë mundësi që të bëjnë më shumë për të pagjeturit.
“Politikanët tanë janë mësuar se të njëjtat këngë i këndojnë prej fillimit dhe kur vjen puna i shkojnë disa lotë, por dhimbjen dhe përgjegjësinë që ua ka dhënë ky popull nuk po e kryejnë”.
“Kanë mundësi shumë më shumë se sa ata që po premtojnë dhe nuk po realizojnë. Çdo familjar që e ka një person të pagjetur është hulumtuesi më i madh”.
“Askush nuk din më mirë se familjari për rastin. Askush nuk di më mirë se unë për djalin tim – unë i di emrat, mbiemrat, në sa ora është marrë dhe të gjitha të tjerat”.
“Të gjitha këto dokumentacione i kemi dorëzuar”.
Por, a është Bajram Qerkini për pajtim me Serbinë?
“Po flitet e vërteta dhe pajtimi, Unë jam për një të vërtetë se si ka ndodhur dhe më pas pajtimi vjen vet”.
“Nuk ka nevojë të flasim për pajtim sepse kjo fjalë është e rëndë. Familjarët në Kosovë janë pajtuar – unë udhëheqë një shoqatë multi-etnike që përbëhet nga të gjitha nacionalitetet”.
“Le të dihet e vërteta dhe t’i dimë ku i kemi familjarët tanë sepse na i kanë marrë të gjallë”.
Ai ka thënë se në planet e ardhshme të veprimit në kërkimet për të pagjeturit do të kontrollohen disa vende në Kosovë, por edhe në Serbi.
“Po flitet dhe në besoj se këtë vit do të pastrohen varrezat në pjesë të veriut ku ka skica dhe ka fotografi. Kemi premtime se edhe ato do të pastrohen”.






