Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka komentuar deklaratat e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa lidhur me veprimet e trupës qeveritare kundër Covid-19.
Ai e ka kundërshtuar të parin e LDK-së, duke thënë se Ministria e Punëve të Brendshme, ka nxjerrë vendim që përkundër masave kufizuese të karantinës, të mos ketë ndalesë për deputetët për mbajtje të seancës.
”Isa Mustafa prapë paske shkretu,
Kishim menduar se e ke kaluar atë fazën kur krejt papritmas “të thehej” facebooku në gjysmë të natës, e shkruaje gjëra si mos më keq. Të dinim për njeri që sado mprapshti ke bërë, për dallim nga të tjerët, dokumentet i ke lexuar.
Isë,
nëse dëshiron edhe prof, sepse nuk gënjejmë asgjë nëse e themi këtë – sikurse nuk gënjejmë edhe po të cilësonim në forma tjera sipas veprimtarive e veprimeve që ke bërë, Ministria e Punëve të Brendshme, nuk ka nxjerrë Vendim “për lejim të deputetëve a Kuvendit për të mbajtur mbledhje”, por ka nxjerrë një vendim që autorizon Policinë e Kosovës, që përkundër masave kufizuese të karantinës që janë fuqizuar në përputhje me Ligjin për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, të mos ndalojë deputetët ditën e nesërme për shkak të mbajtjes së seancës.
Ministria e Punëve të Brendshme me këtë akt, i ka kontribuar pozitivisht mbarëvajtjes e funksionimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit bartës të sovranitetit të vendit e qendrës kryesore të vendosjes politike në Republikë.
Është dashur të nxirret Vendimi Isë, sepse besoj e di ti se policia është organ ekzekutiv që zbaton ligjet dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe para ligjit të gjithë qytetarët janë të barabartë, Isë. Deputetët i nënshtrohen përgjegjësisë penale, kundërvajtëse, deliktore, civile e përgjegjësive të tjera juridike përveç imunitetit nga ndjekja penale dhe paditë civile që mund të lindin nga kryerja e funksionit.
E Isë, duke qenë kështu, edhe deputetët janë përgjegjës për zbatimin e ligjit dhe masave të bazuara në ligj për aq kohë sa nuk përcaktohet ndryshe. A po e kupton tash se si e pse është nxjerrë ky Vendim? A po mbërrinë ta akceptosh se këtu bëhet fjalë për kryerje të detyrës me përgjegjësi dhe profesionalizëm për t’i kontribuar funksionimit të Kuvendit, e jo për diktaturë. Cfarë diktature Isë?”.
Bajqinovci mes tjerash i ka thënë Mustafaës se është bërë për keqardhje dhe se atë e ka shpërfytyruar Presidenti Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.
”Isë,
Është për keqardhje në çfarë derexhe ke shkuar ti dhe me vete e ke marrë edhe partinë tënde. U ka shpërfytyruar Hashimi Isë. Ke humbur arsyen. Ka shenja që edhe je pishman që u nënvendose në vargun e partive të Hashimit por çfarë të bëjmë tani. Të gjithëve na vjen keq që “institucionalizmin”, “konstitucionalizmin”, “akademizmin”, e “intelektualizmin e LDK –së e ke hashimizuar e për këtë, një ditë do të flas vet anëtarësia e LDK –së, duke të të bërë ty përgjegjës”.