Agim Bahtiri i Vetëvendosjes po garanton se do të ketë koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këtë deklaratë Kryetari i Mitrovicës e ka dhënë sot pasi është takuar me Nënkryetarin e LDK’së, Agim Veliun, me të cilin kanë pirë kafe në qendër të Prishtinës.

“Koalicioni ka me ndodhë, unë po ju garantoj ka përfundu misioni për koalicion vetëm po presim numërimin e votave dhe asnjë problem nuk është në atë drejtim, dhe kush mendon se është problem e ka gabim”, ka thënë Bahtiri për Express.

Vetëvendosje dhe LDK nisën të enjten bisedat për formimin e koalicionit. Por, një ditë më vonë LDK doli dhe tha se s’do të ketë takime të tjera derisa të certifikohen rezultatet. Kanë thënë se vetëm mund të ketë takime te ekspertëve.

Sidoqoftë, Agim Bahtiri ka konfirmuar se me Veliun s’kanë folur për koalicion pasi me këtë temë merren Shefat e partive.

“Së pari me Agimin jam mik i moqëm dhe e kam shumë përqefi, jemi taku në shesh dhe u ulëm me pi një kafe bisedum për tema të ndryshme. Ne nuk e kemi mandatin për të biseduar për koalicion, mandatin e kanë Albin Kurti dhe Isa Mustafa. Ne jemi më të votuarit në komunat tona dhe na jemi shokë nashta na pyesin pak por ne bisedojmë për tema sikur dy kryetarë të komunave”, ka thënë Bahtiri.

Para Bahtirit ka folur edhe Agim Veliu, i cili ka konfirmuar takimin duke thënë se kanë folur për “Shkup e Shkodër”.

Agim Bahtiri është Kryetar i Mitrovicës në dy mandatet e fundit. Kishte fituar derisa ishte në AKR’në e Behgjet Pacollit. Në zgjedhjet e fundit nacionale, ai kaloi në Vetëvendosje.

Agim Veliu është Nënkryetar i Parë i LDK’së dhe udhëheq Komunën e Podujevës prej pasluftës.