Lokale - eSIMy

Reduktime s’do të ketë, të paktën për një kohë.

Sipas furnizuesit KEDS rikthimi i bllokut B2 dhe A3 në Korporatën Energjetike të Kosovës ka siguruar mjaftueshëm rrymë që të mos ndalet.

“Janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të bllokut B2 dhe A3, pasi që gjendja është stabilizuar për momentin. Pavarësisht kësaj, kursimi është i domosdoshëm!”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Në KEK thanë se rikthimi i dy njësive mundësoi prodhim të rrymës afër 800 megavatë në orë.

B2-shi ka kapacitet 260, kurse A3-shi 130 megavatë. Korporata planifikon që edhe në dimër të punohet kësisoj, kur kërkesa për energji është më e madhe.

Të enjten ra për 20% edhe çmimi në tregun ndërkombëtar HUPX, teksa një megavat kushtoi nga 490 në 550 euro. Këto shifra dinë të dyfishohen nganjëherë, sipas kryeministrit Albin Kurti.

“Ne brengosemi kur vitin e kaluar në dhjetor një megavat orë ka kushtuar 500 euro, kurse tash ende pa ardhur dimri po shkon në 1000 euro”.

Ky thotë se Kosova do ta kalojë këtë sfidë globale, por jo me greva.

“Ne bëjmë më të mirën e mundshme dhe do t’ia dalim, por nuk na çon askund greva, bojkoti e mospuna”.

Ditëve të fundit reduktimet janë ashpërsuar në Kosovë duke shkuar në 4 me 2 në favor të rrymës.