Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ditëve të fundit ka intensifikuar opozitën e tij karshi Qeverisë e posaçërisht rreth çështjes së punësimeve në KEK.
Për këtë çështje, LDK gjatë ditës ka dorëzuar edhe një kallëzim penal duke theksuar se kjo parti do të jetë në krye të betejës kundër nepotizmit.
Për gjithë këto zhvillime ka reaguar Avni Zogiani, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosjes, që njihet për punën e tij prej aktivisti në luftën kundër korrupsionit, shkruan Gazeta Nacionale.
Zogiani, që në zgjedhjet e 2017-ës ishte kandidat i Lëvizjes për Komunën e Fushë Kosovës, ka hedhur kritika ndaj Abdixhikut.
Ai ka pyetur të parin e partisë më të vjetër në vend, se ku ishte kur Telekomi mbushej me militant të partive tash opozitare.
Tutje, aktivisti i Vetëvendosjes ia rikujtoi Abdixhikut mos reagimin e këtij të fundit edhe kur Thaçi, sipas Zogianit, shpërndante poste ambasadorësh për t’i siguruar votat për president.
“Lumir, ku ishe ti, kur me lista partishe mbushej Telekomi (nga 800 per disa muaj), e familjarë te ngushte te PDK e AAK mbushnin bordet, kur Sigurimet i qeverisnin vellezerit e Thaçit e Pacollit, kur tenderet e KEK i merrte partneri i bizneseve te Blerim Thaçit, kur ne Parlament para hundeve tua deputetet sollen krejt familjaret ne administrate, kur Thaçi shperndante poste ambasadoresh per votat per president, kur ne sektorin publik krijoheshin vende te paqena pune per familjaret e partive, kur mes Aeroportit e Telekomit shkembeheshin me punesime bashkeshortet e drejtoreve, kur Telekomi hahej per se gjalli, kur KEK-ut i shitej uje per nafte, kur u dha tenderi per dislokimin e hirit e su zhvendos kurre, kur kompania shteterore serbe “14ti oktobar” merrte 49 milione euro nga KEK-u per sisteme qe s’perdoreshin kurre, kur toka publike falej me çmime sa nje hamburger, kur vidheshin deshmite e krimit te organizuar ne dhomen e policise, kur… Pse nuk ushtrove padi per keto, por del e thua po ushtroj padi per raportime te stisura te portaleve diabolike?!”, pyeti mes tjerash Zogiani në postimin e tij të pa edituar nga Nacionale.
Gjatë ditëve të fundit është diskutuar shumë rreth punësimeve të aktivistëve e familjarëve të VV-së në KEK.
Siç ka raportuar Nacionale, në KEK janë rehatuar shumë familjarë të zyrtarëve të VV përfshirë ata të deputetit Halil Thaçi.
E ky i fundit, pas disa ditë heshtje, ka folur rreth akuzave që janë bërë në adresë të tij.
Në emisionin Pressing, i pyetur në lidhje me këtë skandal, ai është shprehur së kjo nuk ka të bëjë me punësime familjare.
Punësimeve skandaloze në KEK, Thaçi u ka dhënë të drejtë, meqë siç thotë “KEK operon në trojet e stërgjyshëve të atyre që janë punësuar.”
Tutje ai ka ofruar një sqarim në lidhje me punësimet në KEK.
“Me të vërtetë është përfolur në media këto ditë emri im. Është diçka që ka marrë fund më 14 shkurt 2021. Këto thashethemet që përflitet emri im dhe personaliteti im nuk ka të bëjë fare me emrin tim. Unë jam nga komuna e Obiliqit. Dhe për herë të parë në histori të KEK supozohet një numër kaq i madh i banorëve të Obiliqit. KEK operon në trojet e stërgjyshëve të atyre që janë punësuar. E sqaron edhe Ligji”, ka thënë ndër të tjera ai.
Për këtë punë është deklaruar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se raportimet e mediave kanë për qëllim dëmtimin e VV-së.
Këto punësime janë kritikuar edhe nga partitë e tjera opozitare si PDK e AAK dhe nga analistë të ndryshëm të cilët kanë kritikuar VV-në për qasje jo meritokratike në konkurset publike.






