Lokale - eSIMy

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se Vjosa Osmani do të rikthehet në LDK “pas një kohe”.

Në emisionin Debat të RTK-së, Hoti ka deklaruar se pret që Osmani, sikurse ka ndodhur me anëtarë që ishin larguar nga LDK-ja në të kaluarën, do të rikthehet sërish në parti.

“Kjo nuk është hera e parë që ka pasur largime nga LDK-ja. Shumë prej tyre janë kthyer sërish dhe unë pres që pas një kohe edhe kjo kthehet në LDK”, ka thënë Hoti.

Hoti ka deklaruar se Osmani nuk ka të ardhme politike pa Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, LDK-ja nuk guxon t’i neglizhojë largimet e anëtarëve të saj, përfshirë Vjosa Osmanin, Haxhi Avdylin dhe të tjerët.

“Ne kemi filluar menjëherë përgatitjet. Të gjitha degët kanë filluar punën e tyre. Tash, edhe nëse një anëtar i thjeshtë largohet nga LDK-ja nuk duhet neglizhuar, e jo më figura si Vjosa Osmani largohen. Por, ky është realiteti. LDK-ja vazhdon rrugën e saj”, ka deklaruar Hoti.