Me pasoja për vendin është parë mospajtimi i fortë që janë duke e demonstruar në publik presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Secili nga ta këmbëngul që vendin ta udhëheqë vetë në këtë proces.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, i ka thënë KOHËS se është duke u vënë në pah tendenca e presidentit Thaçi që të vazhdojë të jetë figura kryesore në dialog.

“Ne konsiderojmë që një gjë e tillë është tashmë e qartësuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra, kryeministri duhet të udhëheqë dialogun, natyrisht me një konsensus të gjerë parlamentar dhe institucional”, ka thënë Loxha. “Pra, kjo situatë e vë në pah tendencën e vazhdueshme të presidentit që të marrë më shumë kompetenca sesa ato që ia parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Në mandatin e Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj ishte bërë një ligj për Ekipin që do ta përfaqësonte Kosovën në negociatat me Serbinë. Pas kontestimit të tij, Gjykata e pati shpallur antikushtetues ligjin dhe ia pati përshkruar presidentit vetëm rolin e këshillëdhënësit për çështje që lidhen me politikën e jashtme. Ndërkaq Qeverisë ia njihte rolin e krijuesit të kësaj politike.

Programi i Qeverisë pasuese të drejtuar nga Albin Kurti nuk ia përshkruante presidentit asnjë rol në negociatat me fqinjin verior.

“Dialogu me Serbinë udhëhiqet nga kryeministri mbi bazën e mandatit kushtetues, i cili raporton në Kuvend në baza të rregullta për procesin e dialogut”, thuhej në të.

Por, programi i Qeverisë aktuale që drejtohet nga Avdullah Hoti ia përmend një rol kreut të shtetit. Në pjesën që ka të bëjë me dialogun theksohet se “presidenti e përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese”.

Një ditë më parë Thaçi është mbështetur në hierarkinë shtetërore kur ka argumentuar se ai do t’i prijë ekipit të Kosovës që më 27 qershor do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, për t’u përballur me delegacionin serb.