Lokale - eSIMy

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka qëndruar në konakun e familjes Bazaj, me ç’rast edhe i ka uruar mirëseardhje në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Bazajt.

“Mikpritje shqiptare, në konakun e familjes patriotike Bazaj të Drenicës. Bujaria dhe atdhedashuria, që e shquajnë tërë Drenicën, janë tipare edhe të Naimit, një nga komandantët e dalluar të ushtrisë sonë çlirimtare, i cili rrugëtimin politik ka vendosur ta vazhdojë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, së bashku me qindra bashkëveprimtarë të tij, profesionistë të profileve të ndryshme”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Tutje kryeministri në largim ka falënderuar Bazajn për kontributin e tij si dhe besimin e tij në AAK.

“Faleminderit për mikpritjen dhe besimin në vizionin e Aleancës për shtetin dhe atdheun. Të vërtetë në luftë, ashtu edhe në paqe. Dalshim faqebardhë”, ka theksuar Haradinaj.