Misioni historik që dërgoi njerëzimin sërish drejt Hënës pas gjysmë shekulli po i afrohet fundit. Katër astronautët e misionit Artemis II janë në rrugën e kthimit drejt Tokës, pasi thyen rekordin e largësisë në hapësirë. Me vete po sjellin jo vetëm të dhëna shkencore, por rrëfime dhe imazhe që nuk janë parë kurrë më parë.
Pas një udhëtimi epik përtej anës së errët të Hënës, ekuipazhi i Artemis II ka thyer heshtjen. Nga bordi i anijes kozmike Orion, rreth 400 mijë kilometra larg shtëpisë, katër astronautët ndanë emocionet e para me botën. Piloti Victor Glover premtoi se “gjërat më të bukura” po vijnë me ta.
“Duhet të kthehemi. Ka shumë të dhëna që i keni parë, por gjithë materialet e mira po vijnë me ne. Ka shumë më tepër foto e shumë më tepër histori për të treguar”, tha Victor Glover, pilot i Artemis II.
Gjatë misionit, anija Orion kaloi kufirin e 248 mijë miljeve, duke thyer rekordin e vitit 1970.
Tashmë, sfida e fundit mbetet ajo e kthimit. Të premten, rreth orës 20:00 me orën e SHBA-së, kapsula Orion do të hyjë në atmosferën e Tokës me një shpejtësi marramendëse prej 40 mijë kilometrash në orë.






