Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dje në një konferencë për medie bëri të ditur hapjen e konkursit për 1 mijë e 34 specializime të fushave të ndryshme, njofton Llapi.info.

Zemaj ka thënë se ky proces ka qenë i bllokuar që katër vite, duke shkaktuar kështu deficit të kuadrove profesionalë shëndetësorë. Ai ka thënë se ky konkurs është hapur për 1034 persona. Zemaj theksoi se ky konkurs është ndarë në dy grupe, ku njëri menjëherë do të kyçet në luftën kundër pandemisë.

Mirëpo, për çudi, as edhe një specializim s’është ndarë për Spitalin e Përgjithshëm të Podujevës, i cili vazhdon të jetë i mbyllur edhe pse të njëjtit i është prerë shiriti disa herë. Këtë objekt e ka vizituar pak kohë më parë edhe Ministri Zemaj, por specializim për këtë s’është paraparë. Për këtë ka reaguar edhe këshilltari komunal nga radhët e VV-së, Vendenis Lahu.

“ZERO specializime të ndara për Spitalin e Përgjithshëm të premtuar(fiktiv) të Podujevës. Edhe një herë shpërfaqet hapur në publik mashtrimi i Komunës sonë për Spitalin e Përgjithshëm. Sot, në konkursin për specializime të hapur nga Ministria e Shëndetësisë (https://msh.rks-gov.net/…/Konkursi-për-specializime-2020.do…), për Spitalin e premtuar të Podujevës janë ndarë ZERO vende. Pra, asnjë vend për specializim i ndarë për Spitalin e premtuar të qytetit. (Për ilustrim: për Spitalin e Gjakovës janë ndarë 21 vende, për Spitalin e Pejës 16)”, ka shkruar ai në reagimin e tij në Facebook.

Ai ka fajësuar ish-kryetarin e Podujevës, Agim Veliun, sipas të cilit, premtimi i tij s’e ka realizuar, gjersa ka shtuar se qytetarët do të vazhdojnë t’i marrin shërbimet në komunat tjera.

“Si është e mundur të mos ndahet asnjë vend për shkollim specialistik për Podujevën dhe në të njëjtën kohë të pretendosh hapjen e një Spitali të Përgjithshëm?! Edhe më absurd këtë pretendim e bën fakti që, po që se fillohet tash, duhen edhe minimum 5 vite për përgatitjen e kuadrove për të. Si mendojnë ata se do të krijojnë kuadrot e nevojshme për Spitalin e Qytetit?! Prandaj shtrohet pyetja: Ku mbeti ish-kryetari i Komunës dhe premtimi i tij për Spitalin e Qytetit, premtim që vazhdimisht ua dha qytetarëve por asnjëherë nuk e realizoi? E ndërkohë mjekët llapjanë do të jenë të penalizuar edhe në këtë konkurs specializimi e qytetarët tanë shërbimet specialistike mjekësore do të detyrohen t’i marrin në Prishtinë dhe komuna tjera”, ka përfunduar Lahu.

Në 2016 ishte hapur konkursi i fundit për specializantë të fushave të ndryshme të mjekësisë, e që ishte shoqëruar me pakënaqësi të shumta nga kandidatët./Llapi.info