Janë shëruar edhe pacientët e fundit aktivë me virusin korona në Podujevë, duke bërë kështu që në këtë Komunë të mos ketë më raste aktive me COVID-19, raporton Llapi.info.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, e cila ka shtuar se nuk është regjistruar asnjë rast pozitive për dy javë.

“Ka dy javë ditë që nuk kemi pasur asnjë rast pozitiv me koronavirus në rajonin e Podujevës. Sot janë shëruar rastet e fundit, duke bërë kështu që aktualisht të mos kemi asnjë rast aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Më tej, Rama ka shtuar se që nga fillimi i pandemisë në Podujevë janë regjistruar 74 raste të vdekjeve me COVID-19, ndërkohë që janë shëruar 7.163 pacientë.

Rama, duke bërë thirrje tek qytetaret që të vaksinohen kundër virusit korona, ka thënë se në Podujevë janë administruar mbi 70 mijë vaksina.

“Deri tani janë administruar 71 mijë e 463 vaksina. Ka të interesuar që të vaksinohen dita-ditës, zakonisht kohëve të fundit nga të rinjtë. Deri tash të gjithë të vaksinuarit kanë kaluar mirë, pa ndonjë komplikim. Apelojmë te të gjithë ata që nuk janë vaksinuar, ta bëjnë një gjë të tillë. Preventiva anti-covid është vaksinimi”, ka thënë Rama.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të martën janë regjistruar 20 raste me koronavirus, pas testimit të 2.072 mostrave. Në 24 orët e fundit, sipas njoftimit, nuk është regjistruar asnjë viktimë.

Autoritetet shëndetësore kanë thënë se më 26 tetor, 31 persona janë shëruar derisa 427 persona janë ende aktivë në koronavirus. Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 160.000 raste të infektimit. Prej tyre 2.975 persona kanë vdekur./Llapi.info