Në një terma dhe shtjellime pothuajse identike me Lëvizjen Vetëvendosje, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, e drejtuar nga Mehmet Kraja, ka targetuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, duke ia mëveshur rolin e “ndarësit të Kosovës” në një “analize” të publikuar më 22 nëntor në AShAK, raporton gazeta online Reporteri.net. Supozimi i tyre është se kjo “ide” e përcolli Thaçin mu pas themelimit të Gjykatës Speciale, “për ta shpëtuar veten”.
Madje, në këtë që ata e supozojnë plan të Serbisë në të cilin mori pjesë Thaçi, AshAK e vendos edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, ngase, sipas tyre, ky i fundit donte të paraqitej “si lider […] duke i frikësuar mos po mbetet prapa”.
“Në idenë e Vuçiqit dhe Thaçit për të pacifizuar raportet Kosovë-Serbi përmes ndarjes së Kosovës, secili me arsye dhe motive të ndryshme, me një shpejtësi të madhe u përfshi Edi Rama, gjithnjë i prirë për liderizëm dhe i ‘frikësuar’ se mund të mbetej prapa në këto zhvillime kontradiktore”, shkruan Akademia e Kryesuar nga Mehmet Kraja.
“Më pas u përfshin edhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë, si Erdogani i Turqisë, përmes të cilit u bënë lobime të fuqishme në drejtim të Putinit dhe Rusisë, më pas u përfshin edhe lobistë të rëndësishëm të Perëndimit, pa lënë me një anë edhe një pjesë të lobit proshqiptar dhe proserb në Amerikë”.
Madje, kjo Akademi thotë se Thaçi kishte “natyrë autokratike të sundimit”.
“Katër vjet me radhë diplomatë luajalë ndaj Hashim Thaçit, të brendshëm dhe të jashtëm, të paguar me para të taksapaguesve të Kosovës, kërkuan me këmbëngulje mbështetës të idesë së ndarjes së Kosovës”.
“Kontaktet intensive dhe komunikimi i vazhdueshëm i treshes Rama-Thaçi-Vuçiq, herë të fshehta dhe herë publike dhe përpjekja për të bindur opinionin e Kosovës dhe të Serbisë me këtë opsion, nxorën në publik ide kontradiktore, por edhe projekte konkrete, që filluan të qarkullonin në kancelari politike, në media dhe aty-këtu edhe në opinion.
Një gjë dukej se ishte e sigurt: krahas lotimit të fuqishëm nga Thaçi dhe Vuçiq dhe nga pushteti i tyre në Prishtinë dhe Beograd, në hartimin e këtyre projekteve “të fshehta” , me harta dhe përshkrime të gjera sesi mund të realizohej kjo ndarje, u morën edhe lobistë dhe donatorë seriozë, të gjithë të mbledhur rreth idesë së mjegullt, se po ndodhte tashmë një ndryshim i madh i klimës politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
“Por nga të gjithë skeptikët e një “përmbysjeje” të këtillë, më së shumti mosbesues ishin kosovarët, të cilët kuptuan dy gjëra: e para, se ndarja e Kosovës dhe bashkëngjitja e veriut të saj Serbisë nuk do të kompensohej me Luginën e Preshevës; dhe, e dyta, se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me ndihmën dhe miratimin e Serbisë, ishte një floskulë politike manipuluese, pa asnjë bazë reale”.
Lexojeni pjesën ku AShAK “analizon” këto ngjarje:
IDEJA PËR NDARJEN E KOSOVËS
Duke parë pozicionet e kundërta të palëve të përfshira në negociata Kosovë-Serbi, që në fillim të dialogut nga “grupe të krizës”, kryesisht ish-diplomatë dhe OJQ që merren me çështje të sigurisë ndërkombëtare, u paraqitën ide, të cilat kishin synim ta zgjidhnin çështjen e Kosovës me një “prerje” radikale, duke e ndarë territorin e saj dhe duke e “pajtuar” Serbinë me humbjen e paevitueshme të Kosovës. Të gjitha idetë rreth ndarjes së Kosovës, pra, kishin synim të mos e linin Serbinë si humbëse në këtë përballje me Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të gjithë hartuesit e projekteve për ndarjen e Kosovës e kishin synim ta kompensonin Serbinë, në mënyrë që ajo të pranonte humbjen dhe merrte një qëndrim më parimor ndaj Kosovës dhe nacionalizmi i saj të bëhej më “konstruktiv” në raport me rajonin. U krijua bindja se me ndarjen e Kosovës dhe me marrjen e një pjese të saj, Serbisë, në njëfarë mënyre i kthehej “nderi i humbur” dhe se ky fakt do të reflektohej pozitivisht jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.
Pavarësisht se si u paraqitën në opinion dhe në kancelaritë diplomatike, ideja për ndarjen e Kosovës është ide e nacionalizmit serb, madje e dishepujve të saj më të spikatur, siç ishin Çubriloviqi dhe Qosiqi. Që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur u pa se problemi i Kosovës do të bëhej i papërballueshëm për Serbinë, në fillim Çubriloviqi dhe më pas Qosiqi nxorën idenë e shkëputjes përfundimtare mes veti të serbëve dhe shqiptarëve përmes ndarjes së Kosovës. Idenë e ndarjes Qosiqi e ripërsëriti disa herë edhe pas vitit 1999, duke nxjerrë në opinion argumente serbe për një zgjidhje të këtillë. Por gjithsesi në agjendën politike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ndarja u fut pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2008).
Që më 2011, duke parë se i ashtuquajturi “dialog teknik” me Serbinë mund të përfshinte edhe tema fondamentale për Kosovën, duke rrezikuar rendin e saj kushtetues, në mars të vitit 2011 në Parlament u miratua një platformë e Qeverisë së Kosovës, me të cilën u përcaktua “korniza parimore” e dialogut, sipas të cilës u parashtruan të panegocueshme disa pika themelore: i) sovraniteti dhe integriteti territorial, ii) rregullimi i brendshëm i vendit dhe iii) Plani i Ahtisarit për komunitetet. Por, pas themelimit të Gjykatës Speciale më 1 shtator 2016 dhe pas përfshirjes në mandatin e saj të krimeve të supozuara gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme, në dialogun me Serbinë dhe në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkomëbtare, u krijua një rrethanë krejtësisht ndryshe: Hashim Thaçi, herë si kryeministër dhe herë si president, futi në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, qoftë duke bërë marrëveshje të fshehta me Serbinë, qoftë duke pretenduar një amnisti si “mirënjohje botërore”, për arritjet e tij në promovimin e paqes midis dy popujve.
Pra, pasi u kuptua se Thaçi mund të ishte objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi të jashtëzakonshme në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Impenjimin e madh të Thaçit dhe natyrën e tij autokratike të sundimit në Kosovë, disa kancelari diplomatike perëndimore e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të “çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje idesë së tij, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim një zgjidhje të tillë. Por, siç do të shihet, situata në terren brenda vetë Kosovës nuk ishte aspak e tillë, siç e paraqiste Thaçi dhe “dilpomacia e tij ngarendëse”. Ai kishte arritur të dominonte disa medie proqeveritare, kishte arritur të krijonte një mbështetje të brendshme kryesisht përmes formave korruptive të pushtetit, por nuk kishte arritur të ndryshonte opinionin publik, i cili në një masë të madhe ishte kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut (Ali Ahmeti), se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një ndarje të Kosovës nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në këtë “kërthizë” të Ballkanit Perëndimor.
Në idenë e Vuçiqit dhe Thaçit për të pacifizuar raportet Kosovë-Serbi përmes ndarjes së Kosovës, secili me arsye dhe motive të ndryshme, me një shpejtësi të madhe u përfshi Edi Rama, gjithnjë i prirë për liderizëm dhe i “frikësuar” se mund të mbetej prapa në këto zhvillime kontradiktore. Më pas u përfshin edhe faktorë të tjerë ndërkombëatrë, si Erdogani i Turqisë, përmes të cilit u bënë lobime të fuqishme në drejtim të Putinit dhe Rusisë, më pas u përfshin edhe lobistë të rëndëishëm të Perëndimit, pa lënë me një anë edhe një pjesë të lobit proshqiptar dhe proserb në Amerikë. Katër vjet me radhë diplomatë luajalë ndaj Hashim Thaçit, të brendshëm dhe të jashtëm, të paguar me para të taksapaguesve të Kosovës, kërkuan me këmbëngulje mbështetës të idesë së ndarjes së Kosovës.
Kontaktet intensive dhe komunikimi i vazhdueshëm i treshes Rama-Thaçi-Vuçiq, herë të fshehta dhe herë publike dhe përpjekja për të bindur opinionin e Kosovës dhe të Serbisë me këtë opsion, nxorën në publik ide kontradiktore, por edhe projekte konkrete, që filluan të qarkullonin në kancelari politike, në media dhe aty-këtu edhe në opinion. Një gjë dukej se ishte e sigurt: krahas lotimit të fuqishëm nga Thaçi dhe Vuçiq dhe nga pushteti i tyre në Prishtinë dhe Beograd, në hartimin e këtyre projekteve “të fshehta” , me harta dhe përshkrime të gjera sesi mund të realizohej kjo ndarje, u morën edhe lobistë dhe donatorë seriozë, të gjithë të mbledhur rreth idesë së mjegullt, se po ndodhte tashmë një ndryshim i madh i klimës politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por nga të gjithë skeptikët e një “përmbysjeje” të këtillë, më së shumti mosbesues ishin kosovarët, të cilët kuptuan dy gjëra: e para, se ndarja e Kosovës dhe bashkëngjitja e veriut të saj Serbisë nuk do të kompensohej me Luginën e Preshevës; dhe, e dyta, se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me ndihmën dhe miratimin e Serbisë, ishte një floskulë politike manipuluese, pa asnjë bazë reale.