Në Kishnicë të Graçanicës është bërë asgjësimi i dhjetëra kilogramëve të 12 llojeve të lodrave për fëmijë që janë cilësuar si të rrezikshme për shëndetin e tyre.

Agjësimi i lodrave të konfiskuara është bërë nga Inspektorati i MTI-së, njofton Klan Kosova.

Këtë aksion po e përcjellin nga afër Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala si dhe ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Shala tha se inspektimet do të vazhdojnë edhe më tutje derisa ka kërkuar rritjen e numrit të inspektorëve në këtë Ministri.

Ai tha se analizat lidhur me kualitetin e lodrave për fëmijë kishin një kosto prej 22 mijë eurove. Shala po ashtu shprehu gatishmërinë që këto teste t’i kryejë Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës për të cilët tha se do të interesohet që t’ua mundësojë akreditimin përkatës.

Asgjësimi i disa llojeve të lodrave për fëmijë nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë erdhi pas rezultateve që kjo Ministri mori pas dërgimit të disa mostrave për testim në laboratorin SGS në Holandë.

Nga 15 mostra të lodrave të cilat kjo ministri i kishte dërguar për testim, 12 prej tyre dolën të jenë të rrezikshme për përdorim.