Sot gjatë ditës kompania e kontraktuar nga komuna ka filluar me asfaltimin e 6 rrugëve dhe rrugicave në fshatin Obrançë. Këto punime i kanë përcjellur nga afër Drejtori i Urbanizmit, Leutrim Krasniqi dhe Kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Drejtori Krasniqi gjatë vizitës tha “Meqenëse kushtet atmosferike janë përmirësuar ditëve të fundit, gjë që po na e mundëson realizimin e disa projekteve të cilat ende nuk kanë përfunduar, si Drejtori e Urbanizmit do të angazhohemi maksimalisht që secili projekt i planifikuar për këtë vit të përmbyllet suksesshëm pa u mbyllur viti fiskal”.
Vlera e kontratës në asfaltimin e rrugëve në fshatin Obrançë është 50 mijë euro.

Drejtori Krasniqi dhe Kryesuesi Hoxha i uruan banorët e fshatit Obrançë për realizimin e projekteve kapitale, si dhe i njoftuan banorët se Komuna ka ndarë mjete edhe për vitin 2023 për realizimin e projekteve të tjera kapitale që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së tyre./Llapi.info