Në lokalitete të ndryshme të Komunës e Podujevës po realizohen projektet e planifikuara për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në lagje të qytetit dhe fshatrave, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Për të përcjellë nga afër punimet, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar disa lagje të qytetit dhe fshatrave ku janë duke u asfaltuar rrugët.

Veliu tha se kompletimi i infrastrukturës rrugore është një nga prioritetet e ekzekutivit të Komunës së Podujevës.

“Me projektet që po realizojmë në asfaltimin e rrugëve dhe rrugica të disa lagjeve të qytetit dhe në fshatra ne jemi duke kompletuar ndërtimin e infrastrukturës rrugore në komunën tonë. Vetëm gjatë këtij mandati qeverisës kemi asfaltuar mbi 200 kilometra rrugë”, tha Veliu.

Në kuadër projekteve të investimeve në infrastrukturën rrugore ka përfunduar asfaltimi i shtatë rrugëve dhe rrugicave në pjesën e Qytetit “Podujeva 3”, si dhe dy rrugëve në “Podujeva 1”. Gjithashtu ka përfunduar asfaltimi i rrugëve në Lagjet Azemi e Hamiti në fshatin Dumnicë.

Janë duke vazhduar punimet edhe në asfaltimin e rrugës nga fshati Shajkoc deri te Xeherorja dhe rrugë në lagje të ndryshme të qytetit dhe të fshatrave./Llapi.info