Pjesa më e madhe e buxhetit sikurse edhe viteve paraprake në Podujevë dominon për projekte infrastrukturore, shkruan Llapi.info.

Në disa pjesë të kësaj komune kanë filluar të shtrohet rishtas asfalti, gjersa në disa të tjera po meremetohen. Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka bërë të ditur se sot ka nisur asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Miroc.

“Sot, asfaltimi i disa rrugëve dhe rrugicave në fshatin Miroc. Kjo është faza e parë, për të vazhduar edhe me rrugë tjera”, ka shkruar ai sipër fotografive të publikuara në rrjetin social, Facebook.

Ndërkaq, për mënyrën e orientimit të buxhetit komunarët shpesh janë kritikuar nga këshilltarët opozitarë. Ata nëpër seanca të Kuvendit patën thënë se që 20 vjet, siç kanë deklaruar, po bëhen projekte në asfalt dhe jo në projekte zhvillimore ekonomike. Sipas tyre, edhe cilësia e tyre nuk është në nivelin e duhur, gjersa disa rrugë i patën krahasuar me shtigje për biçikleta./Llapi.info