Foto: Llapi.info

Mësimdhënësi në shkollën “Shefki Latifi” në fshatin Pollatë, Safet Maqastena, ka akuzuar Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Podujevës, se nuk iu janë paguar shtesat e kualifikimit në shumë prej 58 euro e 32 cent në muaj që nga viti 2012.

Maqastena për Llapi.info ka thënë se Drejtoria e Arsimit nuk ka lejuar një gjë të tillë, kështu duke ia mohuar më shumë se 4 mijë euro.

Sipas tij, arsyetimi që i dhënë nga kjo drejtori ka të bëjë me drejtimin jo përkatës, derisa sipas tij, familjarë të komunarëve i marrin këto shtesa në të njëjtin drejtim që ka ai.

“Prej 2011 punoj në arsim dhe punoj në pedagogji në shkollën “Shefki Latifi” në Pollatë. Viti i parë nuk paguhet kualifikimi, viti i dytë e andej duhet të paguhet kualifikimi, por nuk më është paguar. Ish-drejtori i Arsimit, Nexhmi Rudari më ka thënë haptas se nuk je drejtim përkatës. Ndërsa, prej 2012 Ministria e Arsimit e ka udhëzimin që të gjithë pedagogët duhet t’iu paguhet kualifikimi. Prej 2012 mu më është dashur të paguhet kualifikimi, tash asnjëherë nuk më është dhënë. Kurse, pesë vetave kolegë në të njëjtën punë, pedagogji iu paguhen shtesat”, ka thënë ai.

Sipas tij, familjarë të komunarëve marrin këto shtesa, derisa kontratën e nënshkruar pa shtesa e ka bërë nga frika e humbjes së punës.

“Pastaj kam ardhur në Drejtorinë e Arsimit, konkretisht te zyrtari për ekonomi të arsimit, Mehmet Kastrati, edhe ai e ka gjetë që atyre janë duke u paguar kualifikimet, ndërsa mua jo. Një prej tyre është motra e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Arsimit, dhe familjarë të tjerë të tij. Pas reagimit tim në drejtori dhe te u.d i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, më është ndërruar kontrata në muajin nëntor që të më paguhet shtesat, ndërsa në shtator dhe tetor të këtij viti e kam pasur kontratën pa shtesën e kualifikimeve”, thotë ai.

Maqastena këtë e ka konsideruar si shkelje ligjore, derisa sipas tij, kompensimi i takon.

“Kërkoj nga DKA-ja që të më paguhet shtesat në shumë prej 58 euro e 32 cent në muaj, nga data 1 tetor 2012-31 gusht 2018, me arsyetimin se në bazë të ligjit mua më takon shtesa ashtu sikurse kolegëve të mi që punojnë në shkolla tjera fillore në kushte të barabarta me mua. Nga kjo konstatoj se është bërë shkelje ligjore dhe janë zbatuar dy lloje standardesh ndaj një kategorie të njëjtë dhe kushteve të njëjta të punës”, ka thënë ai.

Ai thotë se këtë çështje do ngritë edhe në gjykatë, duke e paditur Drejtorinë e Arsimit. Sipas tij, edhe kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, është i informuar për këtë./Llapi.info

Image may contain: 1 person, smiling, standing and suit