Lokale - eSIMy

Kryeministri Avdullah Hoti, pas një takimi me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Michele Risi, ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando, ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe u.d i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi ka falënderuar ekipin e mjekëve italianë që kanë ardhur në Kosovë për të ndihmuar me menaxhimin e pandemisë.

“Kishim një takim me ambasadorin italian [Nicola Orlando], komandantin e KFOR-it [Michele Risi] dhe ekipin e mjekëve nga Italia që kanë qëndruar në Kosovë për disa ditë. Dëshiroj të falënderoj mjekët italianë, qeverinë italiane dhe KFOR-in për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që kemi pasë gjatë gjithë kësaj kohe. KFOR-i edhe një herë e ka dëshmuar që është në mbështetje të qytetarëve të Kosovës në të gjitha kapacitetet – në ruajtje të rendit dhe sigurisë, por edhe në mbështetje siç është rasti tash me pandeminë”.

“Mjekët italianë që kanë qëndruar në Kosovë kanë bërë vlerësim të situatës, prandaj kishim diskutim përmbajtësor për të marrë vlerësimin e tyre nga misioni që e kanë kryer në Kosovë. Italia ka qenë shumë e prekur nga pandemia qysh në javët e para dhe besoj se është vendi ku më së shumti mund të mësojmë se si ta menaxhojmë këtë situatë. Do të jemi ekstrem të kujdesshëm për masat që do të marrim në ditët dhe javët në vijim”.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë Michele Risi ka thënë se KFOR-i është në Kosovë tash e 21 vjet për të përballuar të gjitha sfidat së bashku.

“KFOR-i ka qenë këtu që 21 vjet për të përballuar të gjitha sfidat bashkë, më e fundit pandemia COVID-19. Shumë prej sfidave nuk kanë qenë pjesë e sfidave me të cilat zakonisht KFOR-i përballet. I keni kërkuar vendeve anëtare që të dërgojnë ndihmën e tyre dhe kësaj kërkese i është përgjigjur shteti italian duke e dërguar ekipin mjekësor. Mbi të gjitha, është një shtyrje që NATO dhe të gjitha shtetet anëtare të vijnë këtu dhe të ndihmojnë Kosovën që të ballafaqohet me pandeminë”.

Ndërsa, ambasadori italian në Kosovë Nicola Orlando ka deklaruar se prezenca e ekipit mjekësor italian është një shembull i bashkëpunimit mes Italisë dhe Kosovës.

“Misioni i mjekëve italianë këtu është misioni më i madh jashtë Italisë sa i përket pandemisë së koronavirusit – mision i cili po bëhet pikërisht në Kosovë. Për neve është nder dhe kënaqësi që të bashkëpunojmë me institucionet kosovare, po ashtu edhe me stafin shëndetësor dhe popullatën”.

“Situata është përmirësuar, por ka rrezik për valë të dytë të pandemisë. Masat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës kanë dhënë rezultatet e tyre, mirëpo ju këshillojmë që të jeni të kujdesshëm dhe t’iu përmbaheni rregullave bazike – të lani duart, të mbani distancën fizike dhe të mbani maskat”.