Policia e Shqipërisë njofton se ka arrestuar shoferin e një autobusi pas shfaqjes së një videoje ku ai shihet duke ushtruar dhunë ndaj dy nxenësve.
Sipas Policisë së Shtetit, Policia e Dibrës ka identifikuar dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë drejtuesin e autobusit, shtetasin E.S., 35 vjeç, banues në fshatin Burim, Dibër.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E.S., me automjetin e tij autobus, kryente transportin e nxënësve në rrugë dytësore nga fshati Burim për në shkollën e Majtarës, në njësinë admimistrative Maqellarë. Në datë 4.10.2018, ky shtetas ka ushtruar dhunë ndaj dy nxënësve, pasi pretendonte se i kishin djegur me cigare sediljet e automjetit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore shtetasi E.S., u arrestua për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”.
Gjithashtu rezultoi se kishte mangësi në dokumentacion, e për mangësitë e konstatuara do të procedohet administrativisht nga Policia Rrugore.






