Dita e martë ishte e kobshme për familjen Ramadani, pasi që kryefamiljari i tyre, Ramadani 60-vjeçar, humbi jetën tragjikisht pas lëndimeve të marra në vendin e tij të punës në Skenderaj. Ai ishte rrëzuar nga një lartësi derisa po punonte punë ndërtimore në një objekt ndërtimi në fshatin Abri, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se në kuadër të zhvillimeve hetimore lidhur me rastin, është arrestuar pronari i kompanisë ku punonte i ndjeri.

33-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

Me urdhër të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Kujtojmë se janë të shpeshta rastet kur punëtorët si shkak i kushteve jo të mira në punë, marrin lëndime të cilat kanë rezultuar të jenë fatale për ta.