Një shtetas gjerman është arrestuar në Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e kundërligjshëm të armëve.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, i dyshuari me inicialet L.S. është ndaluar fillimisht në rajonin e Gjilanit. Pas ndalimit, automjeti me të cilin po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë zbuluar dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike.
Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale, nga hetuesit e Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.






