Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka arrestuar ish-ministrin e Shëndetësisë, Numan Baliq, nën dyshimin se në vendin e tij të punës ka sulmuar seksualisht një 23-vjeçare.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në Spitalin Regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48 orësh. Gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, tha Nikçi.

Ndryshe, ish-ministri Numan Baliq kohë më parë ishte liruar nga akuza për ngacmim seksual ndaj një punonjëse në Spitalin e Pejës.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë për këtë vepër ndaj Baliqit, me çka dyshohej se nga muaji gusht i vitit 2018 në vazhdimësi e ka ngacmuar praktikanten e Spitalit Rajonal të Pejës duke i shkruar mesazhe me përmbajtje ngacmimi në telefon dhe duke i dërguar edhe letra.

Pas aktakuzës ai ishte suspenduar nga puna, si kirurg në Spitalin Rajonal të Pejës.