Në kuadër të zhvillimeve hetimore për rastin e rëndë të 11-vjeçares nga Prishtina e cila dyshohet se është viktimë e trafikimit dhe keqpërdorimit seksual, është arrestuar edhe një person si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka bërë me dije se i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.
“Prishtinë, 14 shtator 2022– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11 vjeçares, në qershor të vitit 2022. Po ashtu, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.
Ndryshe për rastin e dhunimit ndaj 11-vjeçares, deri më tani janë arrestuar gjithsej 12 persona, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në trafikimin e saj.