Në Japoni policia ka arrestuar babain për të cilin pretendohet se e mbante të birin e tij në një kafaz prej druri për më shumë se 20 vite, me arsyetimin se ishte me aftësi të kufizuara mendore.

Sipas lajmit të agjencisë Kyodo, një burrë 73 vjeçar i quajtur Yoshitane Yamasaki është arrestuar me dyshimin se për më shumë se 20 vite e ka burgosur të birin e tij në një kafaz prej druri në lartësi prej 1 metër dhe gjerësi prej 2 metrash, shkruan Anadolu Agency

Një punonjës lokal i cili ishte përkujdesur për gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së Yamasaki-t para se të vdiste, në muajin janar njoftoi autoritetet në lidhje me rastin. Pas kësaj policia ka filluar hetimet për rastin dhe ka ndaluar Yamasaki-n.

Ai zyrtarëve u ka thënë se të birit, të cilin e mbante të mbyllur që nga mosha 16 vjeçare e deri më tani, i jepte çdo ditë ushqim dhe se lejonte të lahej çdo të dytën ditë.
Ndërkaq, bëhet e ditur se djali i Yamasaki-t, i cili tani është 42 vjeçar, përveç kurrizit të lakuar është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se ai është dërguar në institucionet e mirëqenies sociale.