Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, si dhe me urdhër të Gjykatës, ka zhvilluar një operacion policor, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë operacionit, janë kryer kontrolle në tre lokacione në Podujevë, pas dyshimeve se dy të dyshuarit meshkuj kosovarë kanë shpërndarë video dhe foto në internet në rrjete të ndryshme sociale.
Sipas Policisë, ata kanë shfaqur kartela që pretendoheshin të mbushura me shuma të ndryshme parash dhe të gatshme për blerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për persona të tjerë, duke keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm.
Sipas Policisë, veprimet e dyshuarve kanë përbërë veprat penale: “lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” dhe “hyrja e paautorizuar kompjuterike”.
Gjatë kontrollit janë gjetur pajisje kompjuterike dhe dëshmi të tjera, të cilat janë sekuestruar si prova materiale, duke përfshirë: 2 llaptopë, 3 telefona mobilë, kartëmonedha imituese 5, 10 dhe 20 euro, përdorur për stimulimin e kryerjes së veprës penale online, kartelë e bardhë, 3 armë pistoleta me gaz me 17 fishekë.
Me vendim të prokurorit, pas veprimeve procedurale, dy të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt.






