Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dënuar ashpër arrestimin e aktivistëve të cilët po realizonin një aksion simbolik kundër heqjes së taksës.
Ata përmes një komunikate për media ka thënë se një veprim i tillë është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.
“Dënojmë ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjve të AAK-së, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë. Trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në reagim.
Për këtë ka reaguar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka bërë thirrje që të lirohen të arrestuarit dhe të mos u shkelet e drejta për të kundërshtuar.
“Dënoj ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjve të AAK-së, Naim Ramizi, Musa Lekaj, dhe Edonis Kamberi, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë. Trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi. I bëjmë thirrje pushtetit dhe institucioneve të rendit, që të lirojë menjëherë aktivistët e arrestuar, dhe të mos ua shkelë të drejtën e garantuar të kundërshtimit paqësor e politik qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.






