Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Ramadan Morina akuzohet për krime lufte në fshatin Burim të Malishevës, në seancën e së enjtes, avokati Arianit Koci tha se është linçuar e kërcënuar pasi që po e ushtron mbrojtjen ndaj Morinës dhe se për këtë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj personave që e kanë kërcënuar.
Koci tregoi para gjykatës komentet kërcënuese që janë bërë ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Spiunat duhet të pushkatohen menjëherë, njëri ndër ta je edhe ti. Komenti më drejtohet mua, më identifikon si njëri prej personave që duhet të pushkatohet. Dhe kjo edhe kuptohet edhe prej kontekstit të qindra komenteve që janë aty. Kjo është thirrje publike për vrasjen e mbrojtësit vetëm pse po e ushtron detyrën e tij, dhe ky rast nuk është i izoluar”, tha Koci.
Ai shtoi se pas çdo seance, në publikimet e portalit “Demos”, ndaj tij janë bërë qindra sharje, fyerje dhe etiketime.
“Më quajnë spiun, tradhtar, avokat serb- e kjo avokat serb është shtu pas gabimit të gjykatës… dhe bashkëpunëtor të Serbisë”, tha Koci, duke shtuar se kjo është thirrje për linçim.
Ai më pas tregoi me emra personat që kanë bërë thirrje për pushkatimin e tij dhe të të akuzuarit.
Për këto arsye, avokati Koci tha se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj personave që e kanë kërcënuar.
Morina u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare më 30 dhjetor 2025.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 17 dhjetor 2025, Ramadan Morina akuzohet se gjatë periudhës kohore 1998 -1999, në kohën e luftës në Kosovë, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.






