Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrrin, kjo pas akuzave të rënda që ky i fundit hodhi në drejtim të partnerëve ndërkombëtarë.
Në një njoftim për media, Qeveria në detyrë ka thënë se “deklaratat e Vokrrit nuk përfaqësojnë qëndrimet e tyre”.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka liruar sot nga detyra zëvendësminstrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.
Ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit.
Deklarimet e z. Vokrri nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës” – thuhet aty.
Çka tha Vokrri?
Pikërisht në ditën kur Bashkimi Evropian do të njoftonte se ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por me kusht që të mos ketë eskalim të tensioneve në veri, Vokrri do të bënte akuza të rënda në drejtim të partnerëve ndërkombëtarë.
Ata, ai i akuzoi se kanë nxitur trazira në veri të vendit, madje duke e përmendur me emër shefin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira. Janë diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, e kam përmendur edhe z.Orav, shefi i misionit të BE-së në Kosovë, si njëri nga nxitësit e një prej trazirave. Ka qenë pas atij incidenti, ku u grumbulluan një pjesë e aktivistëve politikë të veriut që njihe për sponsorizim nga shteti serb dhe e bënë një tollovi aty, pasi që përfundoi e tëra, e pashe në rrjete sociale se të njëjtit pak orë para se ta bënin këtë tollovi kanë qenë në takim me të, kjo është vetëm një prej shembujve” – ka thënë ai në KTV.
“Lidhur me shqetësimet eventuale të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim, pra përderisa nuk ka as rezistencë nga qytetarët serbë, përkundrazi ka pasur përshëndetje dhe më pas aplikim dhe kërkim për të marrë shërbime nga këto institucione” – shtoi Vokrri.