Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët dyshohen se kishin hedhur gaz gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 21 mars të këtij viti.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari.

Bëhet fjalë për deputetët, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe Salih Zyba, kurse për Liburn Aliun, Valon Ramadanin dhe Arbërie Nagavcin, pritet të vendoset, siç ka thënë Jashari, së shpejti.

Kështu, Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 23 mars, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.Gjykata e shkallës së parë kishte vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë nuk është i nevojshëm, pasi nuk përmbushen asnjë nga kushtet konkrete, qoftë veç e veç apo bashkë, për caktimin e ndonjërës nga masat për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë.
Pas refuzimit të kërkesës së tyre nga shkalla e parë, Prokuroria i ishte drejtuar Apelit me ankesë me të cilën kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë deputetëve të Vetëvendosjes.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 mars, kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” të arrestuar një ditë më herët, derisa po mbahej seanca e Kuvendit të Kosovës. Deputetë e VV-së, Arbërie Nagavci, Drita Millaku, Fitore Pacolli, Liburn Aliu, Valon Ramadani, Salih Zyba dhe Xhelal Sveçla ishin arrestuar, gjatë kohës kur po mbahej seanca për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Arrestimi i tyre ishte bërë, pasi që ata dyshohet se kanë hedhur gaz lotsjellës në seancën plenare të legjislativit të vendit.