Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zgjedhin presidentin për katër vitet e ardhshme, 2021 – 2025. A do të jetë sërish president, Donald Trumpi apo demokrati Joe Biden, kjo pritet të mësohet të mërkurën. Amerikanët janë futur në procesin zgjedhor të ndarë si asnjëherë më parë në 50 vitet e fundit. Para ditës së zgjedhjeve, kanë votuar gati 100 milionë amerikanë, sa përmes postës sa duke shfrytëzuar mundësinë e votës së hershme.
AP: Bideni po e fiton edhe Arizonan
Kandidati demokrat Joe Biden, sipas agjencisë AP, ka fituar edhe shtetin e Arizonas dhe 11 votat elektorale të saj, duke e fituar një shtet që Donald Trumpi e kishte fituar katër vjet më parë dhe që mund të jetë vendimtar për zgjedhjet.
Kjo mund të jetë goditje e madhe për gjasat e Trumpit për t’u rizgjedhur. Arizona e ka mbështetur një kandidat Demokrat vetëm një herë në 72 vjetët e fundit.
Me Arizonën, Bideni, do të arrinte në 238 vota elektorale, karshi 231 të Trumpit.