Njësia e Antidrogës ka kryer një operacion në fshatin Kovaçi të Zubin Potokut, i cili ka rezultuar me sekuestrimin e 50 kilogramëve substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe 100 fije në përpunim e sipër.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se në këtë operacion janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ku pesë nga ta janë të nacionalitetit serb dhe një është goran.

“Është shkatërruar me sukses laboratori i radhës i substancave narkotike në Zubin Potok, fshati Kovaçi. Nga njësitet relevante deri tash janë arrestuar 6 persona, (5 të etnisë serbe dhe 1 i etnisë gorane) si dhe janë sekuestruar 50kg marihuanë e gatshme dhe 100 fije duke u përpunuar. Angazhimi ynë në luftimin e çdo lloj krimi do të vazhdojë me intensitet të shtuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës pa asnjë dallim”, ka shkruar Sveçla.