Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka pranuar rreth 20 ankesa nga qytetarët e Kosovës lidhur me ofrimin e shërbimeve për testime për COVID-19, në institucionet shëndetësore private.
Ankesat kanë të bëjnë me mungesën e dhënies së informacioneve për qytetarët rreth llojllojshmërisë së testeve.
Ata ankohen se në mungesë të informacioneve qytetarët po detyrohen t’i bëjnë disa lloje të testeve për të vërtetuar se nëse kanë virus në trupin e tyre.
Por, edhe çmimet me të cilat po ofrohen për këto testime po konsiderohen të papërballueshme për xhepin e qytetarëve.
Valentina Demolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se tashmë çmimi i testimeve për një individ po shkon edhe deri në 70 euro.
“Në bazë të ankesave që kemi pranuar nga disa qytetarë në disa laboratorë fillimisht po u ofrohet një testim prej 20 eurosh dhe i cili nuk po vërteton nëse e ke aktiv virusin apo jo. Më pas, sipas deklarimeve të qytetarëve, përmes ankesave në KMDLNJ, atyre po u thuhet që përveç kësaj do të duhej të bëhej edhe testi tjetër që vërteton nëse e ke virusin aktiv apo jo, që shkon në vlerë prej 50 euro. Tashmë nuk po flasim për çmimin prej 50 eurosh për një testim për qytetarët, por po shkon deri në 70 euro e më tepër”, tha ajo.
Demolli tha se edhe ashtu çmimi i ofrimit të këtyre shërbimeve në laboratorët privatë është i lartë marrë parasysh edhe gjendjen e ekonomive familjare pas periudhës së pandemisë.
Ajo këshillon që sidomos për familjet me asistencë sociale të ofrohen këto testimet serologjike dhe PCR pa pagesë.
Por, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se ka një nivel të kënaqshmërisë sepse ka konkurrencë të çmimeve nëpër laboratorët privatë të licencuar.
“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka një nivel të kënaqshmërisë sepse ka një konkurrencë të çmimeve nëpër laboratorët e licencuar dhe nëpër regjionet e ndryshme të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Në 90 laboratorët e licencuar nga ministria e Shëndetësisë për të kryer testime për koronavirus, në disa prej tyre ku tashmë kanë nisur të kryhen testet serologjike çmimet variojnë nga 15 deri në 35 euro, varësisht nga numri i testeve për antitrupa. Kurse, ato molekulare sillen nga 65 deri në 80 euro.






