Më kap nëse mundesh. Është një sfidë që Felipe Anderson mund t’ia bëjë çdo mbrojtësi në çdo klub në Premier League, veçanërisht tash që ka këpucë futbolli të përshtatshme.

Duke u rritur në Brazil, Anderson ka perfeksionuar shkathtësitë e tij në rrugët e Santa Marias, ndërsa nuk kishte fare këpucë futbolli për të luajtur, pasi familja e tij nuk kishte para për t’ia blerë ato, shkruan sot Koha Ditore.

Pavarësisht kësaj, braziliani gjeti një mënyrë. I bekuar me shpejtësi të natyrshme, ai kalonte me orë të tëra me top në këmbët e tij, pavarësisht nëse ishte zbathur apo me këpucë që shkonte në shkollë.

Ai vend ku u rrit Anderson është një botë larg nga West Hami, ku shkencëtarët sportivë analizojnë se si të rritet shpejtësia dhe masin çdo lëvizje.

Trajnerët te skuadra e tij e kaluar Lazio, kishin vlerësuar se ai është lojtari më i shpejtë në Serie A kur vrapon me top. Madje driblimet e tij të rrezikshme bënë që tifozët ta pagëzonin si “FA7”, sipas Cristiano Ronaldos që njihet si “CR7”.