Derisa kosovarët vazhdojnë të konsumojnë shumë produkte të huaja, është ambasadorja finlandeze në Kosovë Pia Stjernvall, e cila kënaqet me ushqim natyral vendor siç është djathi i bardhë dhe ajvari.
Stjernvall në një intervistë për numrin festiv të gazetës “Zëri” ka rrëfyer që është e pakënaqur me ajrin e ndotur të Prishtinës dhe me mungesën e shtigjeve për çiklistë.

Ajo shpreh dëshirën që në Kosovë të ndryshojnë disa fenomene negative: “Të jem e sinqertë, do të ndryshoja nga korrupsioni në transparencë, nga paragjykimet ndërmjet kosovarëve e serbëve në bashkekzistencë paqësore e marrëdhënie reciprokisht të dobishme dhe nga krimi i organizuar në sundimin e ligjit”.

Zëri: Ka kaluar një kohë prejse jeni duke jetuar në Prishtinë. A jeni ambientuar me ajrin e ndotur dhe si e shihni zgjidhjen e këtij problemi?

Stjernvall: Unë kam ardhur në Prishtinë në shkurt të vitit 2018, por ende nuk jam mësuar me ajrin e ndotur. Madje e shoh si një nga problemet më të mëdha, e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë është një shqetësim për të tjerët dhe zvogëlon vullnetin e familjeve tona për të ardhur dhe për të jetuar këtu. Gjatë verës ajri është shumë i mirë dhe unë do të doja ta shihja Kosovën të lëvizte drejt energjisë së rinovueshme.
Zëri: Në cilin vend të Kosovës ju pëlqen t’i kaloni fundjavat?

Stjernvall: Mua më pëlqen të kaloj fundjavën në Prishtinë dhe shpesh edhe në Prizren, megjithatë sapo kam blerë një makinë dhe verën e ardhshme po planifikoj ta eksploroj tërë Kosovën.

Zëri: A konsumoni prodhime kosovare dhe a kemi produkte, të cilat i plotësojnë standardet për tregun evropian?

Stjernvall: Më pëlqen shumë djathi i bardhë dhe ajvari. Ka shumë produkte të tjera të cilat janë mjaft të mira për tregjet evropiane. Shumica e miqve të mi finlandezë i pëlqejnë produktet e Kosovës. Disa nga verërat tuaja janë të shkëlqyera, edhe pse pak të shtrenjta. Tani ka edhe disa eksporte të verërave kosovare në Finlandë. Më duhet të shtoj se ushqimi dhe kafja në restorante janë të cilësisë më të lartë dhe kultura juaj e shërbimit është shumë e mirë.

S’ka kushte për çiklistë në Kosovë

Zëri: A e shfrytëzoni transportin publik të Kosovës dhe a ju bezdis trafiku i ngarkuar?

Stjernvall: Të jem e sinqertë unë rrallë e përdori transportin publik dhe nuk jam e kënaqur me të. Për mua në Helsinki ishte shumë më efikase ta përdorja transportin publik sesa ta përdorja makinën. Si ambasadore kam privilegjin që të kem një shofer gjatë orarit të punës, por unë do të dëshiroja të ecja dhe ta përdorja biçikletën më shumë, por ka disa kufizime pasi në Kosovë nuk ka shumë linja për çiklistë dhe sigurisht që cilësia e ajrit paraqet po ashtu problem.

I pëlqen Dua Lipa dhe Bim Bima

Zëri: A dëgjoni muzikë të këngëtarëve kosovarë dhe kë do ta veçoje?

Stjernvall: Unë nuk kam dëgjuar edhe aq shumë muzikë shqiptare sepse kam qenë këtu për më pak se një vit, megjithatë unë jam një fanse e madhe e Dua Lipës, muzika e saj më bën të vallëzoj. Gjithashtu Bim Bima është shoku im, i cili është edhe reper i mirë, që përdor fjalë kritike dhe ka një stil të mirë. Unë nuk jam një fanse e madhe e muzikës tradicionale, më pëlqen më shumë muzika pop, rok dhe jaz.

Zëri: A e keni përcjellë ndonjë ndeshje të Përfaqësues së Kosovës në futboll dhe si e vlerësoni performancën e saj të deritanishme?

Stjernvall: Unë e ndjek futbollin, por për fat të keq nuk kam qenë ende në ndonjë nga ndeshjet e Kosovës, por e kam ndjekur vetëm në TV. Unë kam qenë shkurt jashtë stadiumit të Prishtinës dhe e ndjeva entuziazmin brenda, pashë kaq shumë flamuj të Kosovës me mbështetësit. Ne gjithashtu kemi pasur disa futbollistë të mëdhenj kosovaro-finlandezë në skuadrën tonë dhe klubet e tjera si Perparim dhe Mehmet Hetemaj, Erfan Zeneli etj.

Zëri: Çka ka të përbashkët Kosova me vendin tuaj?

Stjernvall: Të dyja vendet jemi mjaft të vogla dhe kemi fqinj të madh, me të cilin marrëdhëniet nuk kanë qenë gjithmonë më të mirat. Të dyja vendet e duam sportin e muzikën dhe madje edhe pse në faza të ndryshme të dyja vendet po përpiqemi për barazi gjinore (shpresoj).

Zëri: Po ta kishit mundësinë, cilat do të ishin tri gjërat që do t’i ndryshonit në Kosovë?

Stjernvall: Të jem e sinqertë, do të ndryshoja nga korrupsioni në transparencë, nga paragjykimet ndërmjet kosovarëve e serbëve në bashkekzistencë paqësore e marrëdhënie reciprokisht të dobishme dhe nga krimi i organizuar në sundimin e ligjit.