Në fazën e premtimeve zgjedhore, ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholass Abbott, është marrë me ato për luftën kundër korrupsionit.
I thirrur në tryezën e Grupit për Studime Politike e Juridike ku u diskutua për temën “Dështim apo neglizhencë: zhvillimet e fundit në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë”, Abbot e vlerësoi të rëndësishme që ato të mos mbesin vetëm fjalë fushate.
Abboti e ka vlerësuar punën e bërë nga Këshilli Prokurorial, përfshirë ndryshimin e rregullores për përzgjedhjen e kryeprokurorëve, me përfshirjen e shoqërisë civile dhe konsultimeve publike, praktikë që nuk është ndjekur nga Këshilli Gjyqësor, raporton KTV.
Megjithatë, drejtoresha ekzekutive e GSPJ, Arbëresha Loxha, kërkoi që në fushatë të mos premtohet për reforma në drejtësi.
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, vlerësoi të jetë arritur rezultat me ngritjen e aktakuzave ndaj zyrtarëve të lartë, por theksoi se i vetmi institucion që vlerëson punën e Prokurorisë mbetet gjykata.
Ndër rekomandimet e bëra në këtë tryezë, nga KGJK-ja është kërkuar rritja e transparencës gjatë emërimit në pozita të rëndësishme, e gjithashtu ndëshkimi i gjyqtarëve që nxjerrin aktgjykime të cilat përmbajnë shkelje ligjore.